Upload
adelaukzenel
View
29
Download
9
Embed Size (px)
Citation preview
Dhimitër PILIKA
SHQIPTARËT, BANORËT MË TË HERSHËM TË ADRIATIKUT
Sipas autorëve të lashtë, Adriatiku në fillim quhej “Deti i Kronosit dhe i Reas”, më pas “Gjiri
Jonian”, me një emërtim të trefishtë, të lidhur me traditat parahelenike, pellazgjike.
Jo fort larg nga brigjet e Adriatikut, më 1875 u zbulua Dodona, kryeqendra shpirtërore,
politike dhe kulturore e pellazgëve, orakulli paragrek i së cilës ka qenë më i lashti dhe më i
njohuri në Ballkan e në Europë. Disa qindra dijetarë, klasikë e modernë, shpesh me emër
ndërkombëtar, janë marrë me këtë popull. Disa prej tyre kanë përdorur në rrafsh të gjërë, në
shërbim të së vërtetës, përparësinë e faktorëve vendimtarë të brendshëm, vendorë.
Rrjedhimisht, ata kanë nxjerrë argumente autentikë të pashtershme sidomos pas sjelljes në
Luvër të gjetjeve arkeologjike të Dodonës dhe daljes më 1878 në Paris të dy vëllimeve të
Konstantinit Karapanos “Dodona dhe rrënojat e saj”. Këto zbulime sensacionale kishin bërë
për vete paraprakisht bashkëpunimin aktiv të anëtarëve të Institutit të Francës E. Egger dhe J.
De Witte, që mbahen si pasuesit e pellazgistëve francezë J. B. Jourdan (1746), Ch. Dupuis
(1798), L. Petit-Radel (1810-1852), J. Michelet (1831), L. Benloeë (1877).
Në shkallë ndërkombëtare prej gjithë përfundimeve të tyre të verifikuara mirë, del se
pellazgët, që mbizotëronin në Adriatik, i kanë sjellë Europës, ndër të tjera, alfabetin e parë,
qytetërimin më të lashtë: mjeshtërinë, teknikat e dobishme, themelet e shkencës, mitologjinë
etj., e në veçanti emrin e vetë Europës, kulturën e grurit, shpikjen e bukës, ndërtimin e
qyteteve e bërjen e regjistrimeve, të ligjeve, të monedhave, të Lojërave Olimpike... Pindari
gjenial i ka quajtur “paraselenitë”, domethënë që janë shfaqur para daljes së hënës në kupën
qiellore... Si rrjedhim, me vërtetimin mbi baza rreptësisht shkencore të autoktonisë me
prestigj të pellazgëve kundrejt ardhësve të rinj, helenëve, cili ka qenë zhvillimi i tyre i
mëtejshëm në brigjet e Adriatikut? Kjo kumtesë bën një përpjekje për t’iu përgjigjur shkurt
kësaj pyetjeje, të parë nga këndvështrimi i popullit shqiptar, pjesëtar i familjes adriatike.
Sipas humanistëve Enea Silvio Pikolomini, para i ardhshëm Piu II, Antonio Sabelikos
Rafaelo Volaterranos, e po ashtu më vonë të Pjer Ronsarit, Alfons Lamartinit, Zhyl Mishlesë,
Elize Reklysë, Feliks Zhyljenit dhe shumë të tjerëve, vazhdimësia e shqiptarëve shkon në vijë
të drejtë te Aleksandri dhe Pirroja, mbretër të Epirit, trashëgimtarë të Dodonës “ab antiquo”.
1
Ky pohim mbështetet gjërësisht nga humanistët tanë Marin Barleti, Frank Bardhi, Pjetër
Bogdani, si dhe nga mijëra dëshmi “in loco”, të shkruara dhe gojore. Më 1882 u gjet në
Arkivin e Napolit dhe u botua një letër e dijetarit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (1405-1468),
poliglotit që dinte pesë gjuhë të huaja bashkë me letërsitë e tyre përkatëse: heroi ynë
kombëtar, më 31 tetor 1406 ia dërgonte princit të Tarenit Xhovani-Antonio Orsinit, duke
thënë se po t’u besojmë kronikave tona kombëtare, ata na tregojnë se sovranët epirotë e
molosë, Aleksandri dhe Pirroja, kanë qenë stërgjyshët e shqiptarëve; këta dy dinastë u shquan
me ekspeditat e njohura që ndërmorën përtej Adriatikut. Tërësia e rrethanave domethënëse na
tregon se vula zyrtare dhe e fshehtë e Skënderbeut, që u bë e njohur më 1962, ka emblema
tërësisht dodonase; përkrenarja e tij, që ruhet në Vjenë, është e njëjtë me helmetën e Pirros, të
përshkruar prej Plutarkut; për më tepër, në drurin gjenealogjik të pasardhësve të tij, jo
rastësisht janë shquar Pirroja I, Kastrioti-Skëndërbe, si dhe Pirroja II Kastrioti-Skënderbe. Si
përfundim, duhet të saktësojmë se vija: Aleksandri dhe Pirroja i Epirit - shqiptarët e sotëm,
deri më sot, nuk është kundërshtuar nga asnjë dokument historik i vlefshëm.
Një repertor mjaft i pasur greko-romak, që asnjëherë nuk është hedhur poshtë, vërteton se
Aleksandri dhe Pirroja, si molosë, ishin aecidë, pasardhës të drejtpërdrejtë të Eakut, gjyshit të
Akilit, i cili që nga Homeri është vlerësuar si mishërimi i vetë prototipit të pellazgut. Veç
kësaj, diçka që është plotësisht e provueshme, ka vazhduar ngritja në shkallën e princit, pa
asnjë qëllim të paravendosur, e tre nipërve të Skëndërbeut, që sanksionuan onomastikën
pellazgjike, mjaft domethënëse, të paraardhësve të tyre parahistorikë: Akili I Kastrioti-
Skënderbeu, Akili II Kastrioti-Skënderbeu dhe Akili III Kastrioti-Skënderbeu. Si pasojë
logjike e këtij realiteti objektiv, lidhja gjenetike ndërmjet shqiptarëve dhe pellazgëve ka
vijuar të imponohet që në zanafillën e epokës moderne, një e vërtetë tashmë e pranuar nga një
ushtri specialistësh shqiptarë e të huaj.
Përfundimisht, origjina pellazgjike e kombit shqiptar, të pandarë prej Adriatikut, është
provuar në mënyrë të padyshimtë, pa asnjë hije etnocentrizmi, nëpërmjet përputhjeve,
ndihmesave, konvergjensave të pakundërshtueshme të mijëra të dhënave ndërdisiplinore,
zakonisht të pabotuara, vendore, që u përkasin fushave të mëposhtme: historigrafisë,
nunizmatikës, epigrafisë, fizikës radiometrike, kimisë (së metaleve, tokave etj.), etnologjisë,
folkloristikës, gjuhësisë, onomastikës, etimologjisë, antropologjisë, hematologjisë,
ballkanologjisë, etruskologjisë, jurisprudencës, paleografisë, statistikës, demografisë,
klimatologjisë etj. Afër rivierës sonë, në jug të Buthrotit të lashtë, të cilin e donte aq shumë
“Andromaka” e Rasinit të pavdekshëm, gjendet shpella paleolike e Kreshmoit, në të cilën
2
janë gjetur më 1933 “ankorat e argjirit”, një “specialitet” gjithëmesdhetar eskluziv i
pellazgëve, të quajtur prej kohësh zotër të deteve.
Një legjendë provinciale, e transmetuar brez pas brezi dhe e shtypur më 1875, e sjell lindjen e
Zeusit pellazgjik të Dodonës, që është himnizuar nga “Iliada”, pikërisht te stanet e atit të tij,
Kronosit, në rrethinat e qytetit të Anhiazmit ose të Onhezmit, që është emri i babait të Eneut,
Ankizit, i cili me sa duket është varrosur këtu (sot Saranda, kryeqendra detare e jona në jug).
Gjurmët e kultit të monarkut të gjithëfuqishëm të zotërve të Dodonës, me shpurën e tyre, e
mbulojnë gjithë hapësirën adriatike. Tërësia e këtyre atributeve të posaçme, domethënë
shqiponja, dushku, rrufeja, demi, shumë më tepër se kudo gjetkë, gjenden me bollëk në
bregdetin tonë adriatik, si dhe në brendatokën, deri përtej kufinjve të Dalmacisë, të Peonisë
dhe Dardanisë, Kosova e sotme. Në këtë krahinën e fundit kohët e fundit janë vënë re
pesëdhjetë mbishkrime “zeusiane”, tashmë të botuara, në shfaqje të tjera të panumërta të
trashëgimisë kulturore dhe të teogonisë pellazgjike. Duke mbajtur parasysh lashtësinë dhe
vazhdimësinë kaq të qartë e të pandërprerë, studiuesi i shquar i Mesjetës, Alen Dyselje, ka
thënë më 1981: “Historia na mëson se lidhur me Kosovën, serbët janë pushtues të ardhur
mjaft vonë”...
Do t’i kapërcejmë hollësitë e bollshme për adhurimin e veçantë të secilës prej dymbëdhjetë
hyjnive të Dodonës-Olimpit në mjedisin tonë, dhe do të ndalemi vetëm te hyjnesha e dytë e
panteonit paragrek: Demetra, e njohur pa përjashtim nga të gjithë si hyjnesha e mirëfilltë
pellazgjike, etimologjia e emrit të së cilës shpjegohet vetëm ndërmjet gjuhës shqipe. Shenjat
e adhurimit të saj vazhdojnë të jenë të gjalla edhe në vitin 1994. Çdo vit në një datë që nuk
ndryshon, duke respektuar ritet pagane të paracaktuara “ab immemorabili”, fshatarët
shqiptarë, në pjesën më të madhe gra, të besimeve të ndryshme, shkojnë të lahen veshur me
rroba në plazhet tona të Adriatikut me qëllim që të kenë shëndet e pjellshmëri të
vazhdueshme. Deri më sot gërmimet kanë zbuluar faltore, flijimore, skulptura, medalione etj.
kushtuar këtij mishërimi karakteristik të matriarkatit dhe bujqësisë pellazgjike. Po të
vështrohet sipërfaqja e territorit tonë, denduria e tyre është e habitshme, unikale në botën
europiane...
Në një largësi jo të madhe nga porti “dardan” i Orikumit në bregdetin adriatik shqiptar, që në
agimin e kohëve ndodh një dukuri tepër e rrallë, në rrethinat e fshatit Tragjas, (fshati i sotëm
ka po atë emër Tragjas): prodhohet kripë edhe sot e kësaj dite në sasi të mëdha vetvetiu, pa
3
asnjë përpjekje njerëzore, duke përfituar nga veprimi periodik i rrymave detare në gropat e
vogla gjeologjike. Sipas fjalëve të Helanikosit dhe Stefan Bizantinit, përfytyrohej se atje ishte
djepi i vërtetë i kripës së gjellës, ku Poseidoni, hyjnia tipike pellazgjike i detrave kishte
krijuar për herë mbi tokë këtë lëndë të pazëvendësueshme gjatë jetës së njerëzve të
vdekshëm...
Shumë kohë përpara luftës së Trojës lëvizjet migruese të pellazgëve e kishin përshkruar
Adriatikun në drejtim të Apulisë, në grykëderdhjen e lumit Po... Virgjili dhe Aulu-Geli i
vështronin këta lundërtarë si banorët e parë të Italisë; sipas Plinit, Solinit, Varronit, Tit Livit,
Denisit të Halikarnasit, Ovisit, Tacitit, Higinit, Ceces... këta pellazgë çuan atje për herë të
parë shkrimin dhe kulturën e artet. Sipas Denisit të Halikarnasit, Plini e Plutarku, ata madje
kanë qenë themeluesit e vërtetë të Romës. Muret e famshme ‘pellazgjike’, ‘ciklopike’,
‘poligonase’, ‘megalitike’, ‘moenia aeacia’, që në një farë mënyre kanë mbetur të
pashkatërrueshme deri në ditët tona, dalin zakonisht në gjithë rrethimin e Adriatikut, duke
nxjerrë në dukje njësinë e tij. Po shënojmë kalimthi, se Athina vetë themelimin e murit të
Akropolit të saj e lidhte me dy arkitektë ndërtues, pellazgët Agronalasi dhe Hiperbiosi, që
janë përjetësuar nga Pausania. Më pas, rreth viteve 80-81 para erës sonë vëmë re një
zhvendosje masive, me egërsi të padëgjuar në drejtim e përkundërt; 150.000 pellazgë etruskë,
të dëbuar nga Gadishulli italik me urdhrin e diktatorit Sula, gjetën strehë të përhershme te
bashkëatdhetarët e tyre në Molosi (Shqipëria jugore), e cila më parë ishte përgjakur dhe
rrafshuar me tokën tërësisht nga xhelati romak Paul Emili. Kjo zhvendosje e tmerrshme me
dhunë na është kumtuar e dëshmuar prej dijetarit frëng të shekujve të iluminizmit, Nikola
Feretit, në veprën e tij “Observations”...
Aventurat e heroit legjendar Kadmit, Herkulit, argonautëve, të cilët janë cilësuar si pellazgë
nga Lucien i Samosates, Diodori, Pausania, Liciforo e të tjerë, e lidhin ngushtë Adriatikun me
stërgjyshët e popullit shqiptar nëpërmjet dyzinash të dëshmive domethënëse, të cilat për
shkak të mungesës së kohës, nuk është e mundur të jepen më gjërësisht...
Diodori na mëson se ishulli kaonas i Korkyrës, i cili vetvetiu na sjell ndër mend binjakun
dalmat, mban emrin e motrës së Pellazgut, stërgjyshen e përbashkët të gjithë pellazgëve. Më
lejoni të citoj një shembull të shkallës së habitshme të arritur nga qytetërimi i tyre paragrek,
katër mijë vjet më parë. Në këngën e shtatë të “Odisesë”, poeti, me akribinë e tij proverbiale,
përshkruan pallatin e mbretit të pellazgëve feacinë, Alkinoosit në Korfuz:
4
“Herë shndriti nga një shkëlqim i beftë i diellit ose i hënës, herë shkëlqen banesa e lartë e ...
shqitmadhit Alkinoos. Nga të dy anët e pragut shtriheshin muret e veshura me bronz deri në
fund të pallatit; përsipër kanë një brez të kaltër; dyert janë prej ari; pragu është prej bronzi me
ndërfutje argjendi; harku është prej ari; nga të dyja anët varen vargonj ari e argjendi, të cilët
Hefesi i ka punuar me një art të mrekullueshëm... Brenda përgjatë gjithë mureve janë vënë
frone të mbuluara me vela të holla e të lehta, punë dore grash. Aty ulen krerët e feacinëve...
Në piedestal të ngritur mirë lartohen shtatore prej ari, që paraqesin djelmosha, të cilët mbajnë
në duar pishtarët e ndezur dhe që natën ndriçojnë kthinat e Alkioosit...”
Përpara këtij shkëlqimi pothuaj prej dyzet shekujsh lind pyetja me të drejtë: a është kapërcyer
ndonjëherë një madhështi e tillë përrallore?...
Përveç se historian, po edhe njohës i hollë i kësaj kulture ‘adriatike’ të paraardhësve tanë
pellazgjikë e ilirë, Lamartini i paharrueshëm do t’i shkruante nga Iskia më 8 shtator 1844
atdhetarit e poetit tonë, Jeronim de Radës, luftëtarit të betuar kundër zgjedhës osmane të asaj
kohe: “Jam i lumtur prej kësaj shenje të vëllazërisë poetike e politike midis meje e teje.
Poezia ka ardhur nga brigjet tuaja dhe atje duhet të kthehet. Unë nuk kam meritë tjetër, veçse
ta parandjej dhe të bëj urimet e para për lirinë e për ringjalljen e Shqipërisë...”
Nga pikëpamja gjuhësore, një numër i madh toponimesh rreth Adriatikut me mbaresën -one
(-ona), që ndeshet te Dodone-Dodona, si Aenona, Avlona, Ancona, Aona, Arasona, Aulona,
Bausiona, Blanona, Cartona, Cremona, Crotona, Chrysondyona, Flanona, Herona, Narona,
Promona, Salona, Sationa, Scardona, Sulmona, Tariona, Triuncona, Verona etj... (për të mos
u shtrirë më tej gjeografikisht), duket qartë se këtë po këtë mbaresë të emrit të kryeqytetit të
pellazgëve, mëmës së qyteteve europiane. Vetëm analiza e toponimeve dhe etnonimeve
primitive, të regjistruara prej kohësh në brigjet rethadriatike, do të na sillte në një përfundim
mësimdhënës; një shumicë e emrave të tyre jo rastësisht shpjegohen etimologjikisht
nëpërmjet shqipes, ose më mirë, përbëjnë një përkthim fjalë për fjalë nga gjuha jonë. (Dihet
sesi Platoni në “Kratilin” e tij dënon rreptë maninë greke për kalkime, që shkaktohej
kryesisht prej hegjemonizmit pa cak e kufi). Tabloja e mëposhtme onomastike, ndonëse nuk
është e plotë, përsëri është mjaft domethënëse.
Agrianes, Antibaris, Auendeates, Autariatae, Avendone, Barbanna, Bari, Bigeste, Bora,
Bounima, Bretension, Brina, Brundisium, Busento, Busento, Bylazora, kepi Glotta, Dagnum,
5
Dalmatae, Dalmatia, Delmion, Delminion, Daranti, Daranto, Dardani, Dardania, Dardapara,
Dardi, Dassaretae, Dassaretia, Derriopes, Deuriopes, Dimallum, Durrachium, Emathia,
Enchelana, Enchelanes, Eordea (Eordia), Gurasson, Gurbicon, Halsion, Helidones,
Helidonion, Hellopia, Kerauniabore, Kroia (Kruja), Lamatis, Lim, Lopsi, Lopsoca, Malatis,
Maledi, Maljena, Malontina (Maltein), Malontum, Maluentum, Maluntum, deti Croni dhe
Rheae, deti Ionium, Mathis, Matoas, Metubarris, Molossia, Ombla, Omphalion, Opitergium,
Pelagones, Pelagonia, Petra, Pirustae, Pistum, Ragusium, Rhizon, Sason, Scheria, Stena,
Tara, Taras, Tarentum, Taria, Tarin, Tariona, Tariotae, Tarneum, Tarsatica, Tarus, Taulantii,
Tergeste, Tergolape, tharandt, tirol, (tyrol), Tragurium (trogir), Trimallum, Ulcaea palus,
Ulcianum, Ulcirus mons, Ulcisia castra, Ulco amne, Ulkinion, Vendenis, Vendum, Vindenis,
Vindinid etj... (Ndonëse janë larg nga trevat adriatike, e meritojnë të përmenden në këtë rast,
për shkak të rëndësisë së tyre të posaçme, vargmalet madhështore Beskidet dhe Karpatet, deti
Baltik, Bizanti, Dardanelet, ishulli anatolik Karpathos...)
Nga na tjetër, një shkencë eksperimentale, antropologjia, nëpërmjet korifejve të saj. J.
Deniker, E. Pittard, na jep sigurinë se shqiptarët e sotëm e kanë prejardhjen e tyre
drejtpërdrejtë nga pellazgët. Në Adriatik dalin metropolet tona antike: Durrësi, Apolonia dhe
më në jug Buthroti, që të tria të lulëzuara shumë shekuj përpara themelimit të Romës, nëse i
besojmë Apianit, Antologi Palatinit, Barletit, si dhe Apolodorit, Plutarkut, Pausanias dhe
Teukerit të Cizikës, Virgjilit, Stefan Bizantinit... Deri në fillim të erës së re ato kanë përdorur
pa ndonjë ndërprerje kalendarin e rëndësishëm pellazgjik të Bunimës, sipas mbishkrimeve
tashmë të njohura. Teatrot e tyre, krahas atyre të Nikesë, Bylisit, Orikumit, Hadrionopolit,
Foinikës, Dodonës etj. kanë shkëlqyer gjatë antikitetit me emrin e dëgjuar dhe dendësinë
gjeografike... Ajka e aristokracisë romake i bënte të kapërcenin Adriatikun pinjollët e saj që
ta përsosnin arsimimin e tyre dhe të specializoheshin te ne në fushën e filozofisë, letërsisë,
arteve, pa përjashtuar artin ushtarak. Për këtë qëllim Jul Cezari pati zgjedhur Durrahiumin,
një qendër e rëndësishme kulturore dhe ekonomike, me rreth njëqind mijë banorë, e cila
ekspononte materiale të çmueshme (argjend etj.), esenca mjekësore dhe kozmetike shumë të
kërkuara. Lidhur me Oktavian Augustin, Mark Vipsanius, Agripën, Mecenën, ata
parapëlqenin Apologjinë tonë kundrejt Romës dhe Athinës, ndërsa Ciceroni, që e kishte parë
në vend Apoloninë, e ka quajtur “mafnam urbem et gravem”.
Nga fillimi i shekullit XIII para erës së re, bashkëvëllai i pellazgut Akil, Diomedi -
paraardhësi i Aleksandrit Molos, që shpëtoi nga lufta e Trojës, u end pa pushim nëpër pellgun
6
adriatik. Ai i dha emrin e vet ishullit të Diomedit dhe një faltoreje “të adhurueshme e të
shenjtë”, sipas Aristotelit të Scimnosit, duke e përfunduar atje poshtë harkun e jetës.
Pothuaj njëkohësisht Pirro Neotolemi, djali i arkipellazgut Akil, erdhi te plazhet adriatike të
afërta me Buthrotin dhe mbretëroi në “viset e molosëve” (Prejardhjen e tij pellazgjike e kanë
sanksionuar edhe Eniusi, Ovidi, Prisciani...) Në brigjet e Adriatikut, sipas Stefan Bizantinit,
ai themeloi qytetin e Bylisit, që e përkujtonte në monedhat e veta. Thuhet se, nëpërmjet
përzgjedhjes së përsëritur, ka përsosur një racë të lartë gjedhësh, që e kanë lëvduar me të
drejtë Aristoteli, Teopompi, Varroni, Plini, Arriani, Eliani, Ateneu : ky lloj ka ardhur deri te
rritësit e sotëm të racave rekorde. Akileidi, veç të tjerash, mbahet si krijuesi i një valleje
tërheqëse, pirrikes, që ende vazhdon dhe lulëzon në Shqipëri...
Ndër studiuesit tanë mësimet e urta të një historie të tillë të gjatë ushqejnë dhe ndriçojnë të
kaluarën e të ardhmen, kurdoherë në shërbim të paqes, të lirisë, të vëllazërisë mes popujve të
Adriatikut dhe të mbarë botës... Plejada të tëra përfaqësuesish të shkencës franceze kanë
dhënë ndihmesë të frytshme për ndriçimin e problemeve themelore të pellazgologjisë në
kuadrin e kulturave mesdhetare. E ndiej veten të nderuar që këtu të bëj një homazh të
përzemërt e të fuqishëm për ta, në veçanti për kujtimin e pashuar të Robert d’Anzhelisë dhe
Dominik Briquel-it. Ata pajtohen të gjithë sesa e sigurtë është mirënjohja e popullit tonë, e
“besës”, fjalës së dhënë të shqiptarëve, i cili kurrë nuk do ta harrojë bujarinë e popullit vëlla
francez.
(Kumtesë e paraqitur në Kolokuimin ndërkombëtar “E kaluara dhe e ardhmja e Hapësirës
Adriatike”, organizuar në Paris më 29 e 30 nëntor 1994 nga institucioni shkencor kulturor
ndërkontinental “Horizont 2000”, nën kujdesin e lartë të ministrit francez të punëve të
jashtme, Alen Zhupe.)
7