33
DR. Zyhdi DERVISHI SHOQËRIA SHQIPTARE PËRBALLË SFIDËS: HIERARKIZIM MBI BAZËN E VLERAVE OSE ANARKI Fshatarë më pak të shkolluar majde edhe analfabetë, që banojnë në fshatrat më të skajshme, në bisedat e përditshme, në ceremoni gëzimesh ose hidhërimesh, pasi artikulojnë shumë vërejtje për qeverinë (përgjithësisht bashkia ose komuna anashkalohet si diçka e parëndësishme), për Organizatën e Kombeve të Bashkuara ose për ndonjë organizëm tjetër ndërkombëtar e përfundojnë bisedën me frazën e tipizuar “po të jem unë president e zgjidh këtë problem kështu ose ashtu...”, “po të isha unë në krye të Organizatës së Kombeve të Bashkuara nuk do ta kisha bërë këtë ose atë gabim...” etj. Fshatarë të tillë nuk janë të vetëdijshëm se nga statusi i tyre, deri te statusi i presidentit dhe aq më larg te statusi i Sekretarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjenden dhjetra statuse të ndërmjetme të përshkallëzuara, të cilat ata nuk mund t’i arrijnë kurrë në jetën e tyre. Jo vetëm fshatarët, por përgjithësisht shqiptarët i karakterizon ndjenja e 1

05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

Embed Size (px)

Citation preview

Page 1: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

DR. Zyhdi DERVISHI

SHOQËRIA SHQIPTARE PËRBALLË SFIDËS: HIERARKIZIM MBI

BAZËN E VLERAVE OSE ANARKI

Fshatarë më pak të shkolluar majde edhe analfabetë, që banojnë në fshatrat më

të skajshme, në bisedat e përditshme, në ceremoni gëzimesh ose hidhërimesh,

pasi artikulojnë shumë vërejtje për qeverinë (përgjithësisht bashkia ose komuna

anashkalohet si diçka e parëndësishme), për Organizatën e Kombeve të

Bashkuara ose për ndonjë organizëm tjetër ndërkombëtar e përfundojnë bisedën

me frazën e tipizuar “po të jem unë president e zgjidh këtë problem kështu ose

ashtu...”, “po të isha unë në krye të Organizatës së Kombeve të Bashkuara nuk

do ta kisha bërë këtë ose atë gabim...” etj. Fshatarë të tillë nuk janë të

vetëdijshëm se nga statusi i tyre, deri te statusi i presidentit dhe aq më larg te

statusi i Sekretarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjenden dhjetra

statuse të ndërmjetme të përshkallëzuara, të cilat ata nuk mund t’i arrijnë kurrë

në jetën e tyre. Jo vetëm fshatarët, por përgjithësisht shqiptarët i karakterizon

ndjenja e krenarisë, e cila në mjedise, çaste e për probleme të caktuara është

boshe, e pajustifikuar. Një nga njohësit më të mirë të formimit psikulturore të

shqiptarëve, Faik Konica ka shkruar se për shqiptarët “krenaria është një gjendje

e mendjes, pavarësisht nga pasuria ose rrethanat” (2001: 242-243). Natyrisht

shtrohet pyetja: Pse shqiptarët përgjithësisht e kanë mjaft të zbehtë ndjenjën e

respektimit të hierarkisë?

Studiues të huaj, përgjithësisht amatorë janë përpjekur të arsyetojnë se

shqiptarët nuk respektojnë hierarkinë sepse nuk kanë aftësi shtetformuese. Një

pohim i tillë është sa i pavërtetë, aq dhe antishqiptar.

1

Page 2: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

Studimet komplekse ndërdisiplinore provojnë se kjo ndjenjë e shqiptarëve i ka

rrënjët në veçoritë e zhvillimeve sociale, politike e historike. Për ta sqaruar më

mirë këtë çështje po kthehemi me vështrimin shqyrtues disi prapa në kohë, në

hapsirat sociale europiane dhe atë shqiptare.

I. Diçka nga tradita perëndimore

Shoqëritë moderne demokratike dallohen nga shoqëritë tradicionale para-

industriale edhe për nga mekanizmat socialkulturore që ndikojnë në mënyrën e

formimit të hierarkisë së statuseve ekonomike, sociale, politike e profesionale të

individëve, të grupimeve sociale. Në shoqëritë paramoderne shumë statuse

sociale, politike e profesionale individi i trashëgon që në lindje. Në mesjetën

feudale, në shumicën dërrmuese të rasteve, fëmijët e zanatçinjëve trashëgonin

nga prindërit statusin profesional; fëmijët e bujkrobërve ishin të lidhur, këmbë e

duar me punët e mundimshme të bujqësisë, ndërkohë që të lindurit në familjet e

fisnikërisë trashëgonin titujt dhe, bashkë me to, edhe “malet” me privilegje,

pavarësisht nga aftësitë e tyre fizike e intelektuale.

Nën qyrkun e shndritshëm të fisnikut gjallonte i mençuri, i dituri dhe i

virtytshmi, por jo rrallë vegjetonte edhe aventurieri i kalibrit të rëndë, sarhoshi

me vetëdije përherë të turbulluar nga avujt e alkoolit dehës deri edhe handikapi

fizik e mendor. Një hierarkizim i tillë i shoqërisë, mjaft i ngurtësuar, po

ndrydhte gjithnjë e më shumë energjitë krijuese të shoqërisë, të cilat shpërthyen

në prag të epokës moderne. Shkallë-shkallë shoqëria moderne instaloi sistemin

e hierarkizimit të statuseve profesionale, ekonomike, politike e socialarsimore të

bazuar kryesisht në meritat vetjake, në punën gjithnjë më të kualifikuar dhe në

përkushtimin ndaj përparimit të shoqërisë. Përvoja historike tregon se një

mekanizëm i tillë i hierarkizimit të statuseve ka funksionuar si gjenerator për

përparimin e vrullshëm të shoqërisë moderne në të gjithë fushat e veprimtarisë,

2

Page 3: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

veçanërisht në atë arsimore, në krijimtarinë artistike dhe shkencore (Maconis, J.,

Sociology, 2005, f. 140-141). Shembulli më i spikatur i funksionimit me

kapacitet të plotë të këtij mekanizmi hierarkiformues është shoqëria

veriamerikane, e cila në zhvillimin e saj nuk është frenuar nga mbeturinat e

strukturave të organizimit feudal.

II. Shoqëria shqiptare: hierarki e deformuar

Kalimi i shoqërisë shqiptare nga faza e tradicionalizmit mesjetar në atë të

modernitetit ka pasur veçori, të cilat së paku në disa rrafshe janë mjaft

problematike. Pushtimi i Shqipërisë nga Perandoria Osmane në shekullin XV,

ndër të tjera, zëvendësoi hierarkinë e aristokracisë feudale të formuar natyrshëm

në rrjedhën e disa shekujve, me një mekanizëm hierarkizimi që bazohej

kryesisht në sukseset e arritura në betejat ushtarake të shumta, të njëpasnjëshme.

Ky hierarkizim ishte mjaft i brishtë, i përkohshëm. Në mjaft raste ngjitja e

shpejtë në karrierën ushtarake, politike e administrative pasohej, nga rrëzimi i

menjëhershëm në varr, në internim ose në shkretëtirën e dëbimit. Siç ka vwnw

në dukje edhe dijetari erudit Sami Frashwri, mjaft prej shqiptarwve që në

Perandorinw Osmane-Turke kryen funksionet e vezirit të madh, domethwnw

kryeministrit (kanw qenw 43 të tillw), të vezirit domethwnw të ministrit (që

kanw qenw me qindra) kanw përfunduar me kokw të prerw. Sistemi feudal-

ushtarak i instaluar në vendin tonë pengoi krijimin e një hierarkie sociale të

qëndrueshme për rreth 5 shekuj.

Ndërkohë në zonat malore të papushtuara banonin fshatarë të lirë, të palidhur

me njëri-tjetrin me sistemin e marrëdhënieve të vartësisë dhe të varfërisë

feudale. Për çështje ekonomike nuk paguhej kurrfarë takse dhe tatimi. Të gjithë

burrat konsideroheshin të barabartë përballë normave kulturore kanunore, si

bajraktari ose burri më me autoritet në krahinë, ashtu edhe më i vobekti, si më i

3

Page 4: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

moshuari, ashtu edhe më i riu. Në paragrafet 886, 888 dhe 889 të “Kanuni i Lek

Dukagjinit” theksohet: “Në kanu të Malevet të Shqypnis gjithsa djelm të lejn

njehen të mirw e nuk veçohen njani prej tjetrit... Seicilli mbahet i mirw dhe i

thotë vedit: “Jam burrw”, e i thonw: “A je burrw!”... seicilli mbahet rrumbull

katërqind derhem n’okw të vet” (Gjeçovi, Sh., 1993:145). Gjithashtu një nga

njohësit më të mirë të sistemit të normave kulturore të shoqërisë tradicionale

shqiptare, Frano Illia, për këto çështje, ndër të tjera, ka shkruar: “Gjaku i burrit

nuk ka asnjë dallim mes të mirit e të keqit, të voglit e të madhit, parisë e

vogëlisë, fëmisë e plakut” (1993:187). Edhe studiuesit e huaj, madje edhe ata

më dashamirws ndaj popullit shqiptar, si në të kaluarwn edhe në ditët tona, janë

përpjekur të argumentojnë se mungesa e një hierarkie të konsoliduar ka penguar

funksionimin normal e të qndrueshwm të shoqwrisw shqiptare. Pwr shembull

një njohëse e dretpwrdrejtw dhe nga afwr e kulturës dhe e shpirtit të

shqiptarwve, udhwpwrshkruesja angleze Edith Durham ka shkruar se as valwt e

difuzionit të kulturave dhe as pushtimet e njwpasnjwshme dhe afatgjata nuk

kanw arritur të mposhtin individualitetin ngulmues të shqiptarëve (1990:103).

Ndërsa një nga studiuesit bashkwkohorw më të kualifikuar të historisw sw

popullit shqiptar Roberto Morazzo della Rocca, në librin “Shqipëria, rrwnjwt e

krizës”, që trajton krizën e shumanshme të shoqwrisw shqiptare në vitet 1996-

1997 shkruan se shqiptarwt nuk janë komb kompakt, por bashkësi individësh

anarkikw, ballkanikwt më ballkanikw, njerëz me prirje vetwshkatwrruese

(2000:92, 65, 134).

Shoqëria shqiptare hyri në rrjedhën e zhvillimeve demokratike ndërkohë që në

modelimin e saj psikokulturor mungonte pothuajse fare ndjenja e respektimit të

hierarkisë së vlertë, reale. Në rrethana të tilla shoqëria shqiptare ndodhet

përballë dilemës: ose të strukturohet mbi bazën e hierarkive reale të vlerave ose

të përjetojë traumatizimin e gjendjes anarkike të tejzgjatur. Më konkretisht: ose

4

Page 5: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

të krijojë piramida të qëndrueshme të hierarkisë profesionale, ekonomike,

politike, sociale e kulturore ose të përmbytet në baticën e anarkisë.

III. Hierarkizimi në arsim e veprimtari kërkimore – bazë e çdo

hierarkizimi të shoqërisë

Përvoja e mjaft vendeve demokratike të Perëndimit tregon se veprimtaria

arsimore dhe kërkimore-shkencore mund të ristrukturohet më shpejt e më mirë

sipas kritereve të meritokracisë Konstruktimi i hierarkisë në këtë segment të

shoqërisë ndihmon për krijimin e piramidave të hierarkive edhe në segmentet e

tjera të organizimit shoqëror. Që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (1912),

deri në ditët tona janë bërë përpjekje për krijimin e hierarkisë në këtë fushë. Me

gjithë arritjet e pakontestueshme, ende nuk është krijuar hierarkizimi i

qëndrueshëm i statuseve të personave të angazhuar profesionalisht në sektorin e

arsimit dhe të studimeve.

Deformimi problematik i hierarkisë edhe në këtë fushë të veprimtarisë

përcaktohet nga bashkëndikimi i disa faktorëve kryesorë politikë, socialë,

historik, etj.

III.1.1. Hierarki e dyzuar nën trysninë e politikave dyzuese

Nga virti 1912 deri në vitin 1990, sidomos gjatë periudhës së regjimit socialist

totalitar, hierarkia në arsim ishte e dyzuar, veçanërisht në atë universitar dhe në

veprimtarinë kërkimore – shkencore. Hierarkia zyrtare përcaktohej kryesisht

nga përkushtimi ideopolitik ndaj regjimit. Pjesa më e madhe e një hierarkie të

tillë përbëhej përgjithësisht nga kuadrot administrativë dhe ideologjikë të

strukturave drejtuese të shkollave të larta dhe të instituteve kërkimore –

shkencore. Kjo pjesë e hierarkisë ishte mjaft e dukshme, pasi, siç thuhej me

5

Page 6: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

ironi në ato vite, “sfilitej në vendimmarrje dogmatike dhe duke qëndruar nëpër

presidiume”. Ky segment kallp i hierarkisë përpiqej të përfitonte meritat e

hierarkisë që krijohej, në kudhrën e vështirë të kërkimit, përpiqej të eklipsonte

hierarkinë e vërtetë, në të cilën statuset më autoritare i zinin më së shumti të

etiketuarit zyrtarisht si “njerëz me kleçka biografie”, si “njerëz me biografi të

keqe”, si “distributorë potencialë të përhapjes së kulturës borgjeze” etj. Pas

përmbysjes së regjimit socialist totalitar, pjesa ideologjike e hierarkisë në

shkollat e larta dhe në institucionet kërkimore – shkencore u shkërmoq si duna

të ngritura me rërë dhe mbeti vetëm hierarkia e ndërtuar nga pedagogët dhe

shkencëtarët e vërtetë, të cilët përbënin, thelbin e qëndrueshëm të hierarkisë

reale. Tashmë janë harruar të tërë emrat e “komisarëve” të hierarkisë

ideopolitike, ndërkohë që janë rivlerësuar në dritën e plotë emrat që formojnë

pjesën shkencore të hierarkisë reale si Eqerem Çabej, Aleks Buda, Mentor

Përmeti, Mahir Domi, Petrit Radovicka, Shaban Demiraj etj.

III.2. Dyzimi edhe nga inflacioni i gradave e titujve shkencorë

Që nga fillimi i viteve ’90 të shekullit XX deri në ditët tona, në rrjedhën e

zhvillimeve demokratike paskomuniste u shpërbënë barrierat ideopolitike që

pengonin krijimin e hierarkisë së vlertë. Mirëpo në këto rrethana procesi i

krijimit të hierarkisë në sektorin e arsimit të lartë dhe të veprimtarisë kërkimore-

shkencore u godit nga inflacioni i gradave dhe i titujve shkencorë. Lakmia për

grada e tituj shkencorë u shndërrua, në një modë në dukje elitare, por në thelb

vulgare, pasi motivohej më së shpeshti nga synimi për të siguruar një pagë më

të lartë. Një numër në rritje burrash e grash, përgjithësisht me moshë nga 35 deri

65 vjeç u vërsulën nëpër departamente të universiteteve dhe të instituteve

kërkimore-shkencore, për të mbrojtur (ose më saktësisht, gjoja për të mbrojtur)

disertacione doktorate dhe sidomos për të lypur titujt shkencorë. Me dhimbje

dhe keqardhje jam i shtërnguar të pohoj se gjatë 15 viteve të fundit kërkesat për

6

Page 7: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

tituj shkencorë në të shumtën e rasteve janë formuluar gati në trajtën e shëmtuar

të lypjes, çka vërtetohet edhe nga modelet e arsyetimeve të tyre: “më duhet

titulli për shtesën e rrogës, pra për bukën e kalamajve”, “më jepni votën për

titullin pasi jam në vështirësi ekonomike”, “më nevojitet titulli shkencor për të

përballuar shpenzimet e fëmijëve që mësojnë në shkolla private në Shqipëri ose

në vende të tjera”, “më duhet titulli shkencor për të përballuar shpenzimet e

makinës që kam blerë kohët e fundit” dhe të tjera shkaqe ose pretekste të kësaj

linje. Në shumë pak raste kërkesat për tituj motivohen profesionalisht me

pikësynim intensifikimin e kërkimit, kapërcimin e pengesave burokratike për

çuarjen përpara të studimeve në fusha të caktuara të kërkimit etj.

Përvoja tregon se departamentet e universiteteve dhe të institucioneve

kërkimore-shkencore e kanë pasur shumë të vështirë të përballojnë këtë baticë

kërkesash për grada e tituj shkencorë të “hallexhinjve” ekonomikë. Edhe ata pak

pedagogë ose punonjës shkencorë më të aftë, më dinjitozë e më të afirmuar që

kanë ngritur zërin të paktën kundër rasteve flagrante të akordimit krejt të

pamerituar të titujve shkencorë janë ndodhur nën trysninë e opinionit mediokër

që i ka karakterizuar si “njerëz demode, krejt jashtë kohës”, si “punonjës që i ka

ngecur akrepi te zeroja pa kurrfarë vlere e ndershmërisë”, si “njerëz që duhen

mënjanuar nga strukturat vendimmarrëse pasi janë kundër rrjedhës pragmatike

të kohës” etj.

Përvoja tregon se përgjithësisht personat që i kanë marrë (ose u janë dhënë, pra

nuk i kanë merituar!) gradat e titujt shkencorë duke u zvarritur si qaramanë për

nevoja ekonomike, të nxitur nga të njëjtat pikësynime shpërfaqen edhe si

arrivistë, bëjnë çdo përpjekje për të zënë postet kryesore në strukturat që

drejtojnë veprimtarinë mësimore ose kërkimore në universitete dhe në

institucionet kërkimore – shkencore të specializuara. Këtij grupimi të

“dekoruarish” me grada e tituj shkencorë i bashkohet edhe një grup tjetër, i cili

7

Page 8: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

nuk ka pothuajse kurrfarë lidhje me veprimtarinë kërkimore, por i ka përfituar

gradat e titujt shkencorë, duke shpërdoruar autoritetin e statusit të lartë në

strukturat vendimmarrëse të partive politike dhe veçanërisht të administratës

qendrore të shtetit si ministra, zëvendësministra, drejtorë drejtorie ose sekretarë

të përgjithshëm nëpër ministrira etj. Kur partia që i ka promovuar edhe si

“shkencëtarë” kalon në opozitë, specialistë të tillë që vijnë nga administrata, të

çkualifikuar ose të paaftë për të kryer me nivelin e standardeve të kohës

veprimtari mësimore dhe sidomos kërkimore, përpiqen të strehohen në

strukturat drejtuese të universiteteve dhe të instituteve kërkimore-shkencore dhe

përgjithësisht ia arrijnë qëllimit, duke shfrytëzuar edhe përvojën e manovrimeve

administrative dhe politike.

Në strukturat drejtuese të të gjitha niveleve të shkollave të larta dhe të

institucioneve kërkimore të specializuara, sidomos gjatë viteve të fundit, kanë

fuqi të madhe imponuese drejtuesit që i kanë marrë titujt e gradat shkencore jo

sipas standardeve të veprimtarisë së mirëfilltë studimore, por kryesisht me

manovrime politike, administrative ose me zvarritje prej qaramanësh. Në

mjediset e pothuajse të gjitha universiteteve, sidomos të atyre të rretheve, dhe

veçanërisht ndër pedagogët e studiuesit më të aftë, më të kualifikuar,

qarkullojnë mendësitë se “drejtuesit nuk i fitojnë gradat e titujt shkencorë me

libra për studentët, as me monografi ose artikuj shkencorë, por me përgatitjen e

posterave, të fletëpalosjeve ose të fjalëve të rastit për ceremoni të ndryshme”,

“se drejtuesit nuk mund të merren me kërkime, pasi lodhen duke qëndruar nëpër

presidiume”, se “drejtuesit nuk kanë pse të lodhen me kërkime, pasi fitojnë më

shumë duke u anëtarësuar në borde të fondacioneve dhe të organizatave

jofitimprurëse të ndryshme” etj.

Kësisoj edhe përgjatë viteve të zhvillimeve demokratike paskomuniste në

universitete dhe në institute kërkimore-shkencore hierarkia është e dyzuar. Nga

8

Page 9: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

njëra anë (ose, më saktësisht, gati krejt e mënjanuar) hierarkia e mirëfilltë e

pedagogëve dhe e punonjësve shkencore më të aftë, të cilët vetëkualifikohen

gjithnjë e më intensivisht dhe luajnë rol vendimtar në përparimin e mendimit

shkencor në të gjitha fushat, veçanërisht në ato të kërkimeve albanologjike. Në

zhargonin e përditshëm këta konsiderohen shpesh si “Sizifë që përpiqen të

ngjisin në majë barrën e rëndë të kërkimit, duke përballuar me aq mundime jo

vetëm vështirësitë e pafundme, skllavëruese të kërkimit, por edhe pengesat e

panumërta të burokracisë, veçanërisht të kolegëve mediokër e të drejtuesve

cmirëzinj brenda institucionit”.

Duke qenë se gjatë 14-15 viteve të fundit organet qendrore përkatëse të shtetit

shqiptar kanë ushtruar përgjithësisht kontrolle fare të zbehta, për realizimin e

veprimtarisë kërkimore – shkencore, kjo hierarki shkencore e vlertë është

eklipsuar, dhe më së shpeshti është shpërfillur nga hierarkia zyrtare e drejtuesve

të institucioneve kërkimore. Përvoja tregon se në rrjedhën e viteve, sa më shumë

thellohet hendeku ndërmjet hierarkisë reale të studiuesve të vërtetë dhe

hierarkisë zyrtare të drejtuesve të veprimtarisë kërkimore, aq më shumë kjo e

fundit priret të zhvleftësojë punën e studiuesve më të aftë, më të përkushtuar e

më rezultativë, duke ndjekur rrugë të ndryshme denigrimi e injorimi. Ndër to

më problematike janë:

1. Në rrjedhën e zhvillimeve demokratike, veçanërisht gjatë 7-8 viteve të fundit,

edhe në Republikën e Shqipërisë strukturat drejtuese të universiteteve dhe të

institucioneve kërkimore – shkencore janë zgjedhur, ndonëse me shkallë, pra

me rregulla gati mesjetare. Por mungesa e përvojës dhe pasaktësitë në aktet

ligjore dhe sidomos nënligjore, që rregulluan procesin e zgjedhjeve, kanë

ndikuar që në strukturat drejtuese të vijnë më shumë jo të zgjedhurit për merita

në veprimtarinë kërkimore, por njerëz të parapëlqyer nga drejtuesit kryesorë dhe

pothuajse të emëruar prej tyre nëpërmjet levave të manipulimeve të

9

Page 10: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

shumëllojshme, deri të skajshme. Ndaj shpesh thuhet “se këshillat drejtuese të

fakulteteve, të institucioneve kërkimore, senatet e universiteteve kanë hijen ose

më saktësisht, fytyrën e shefit”. Në mjaft raste kriter kryesor i përzgjedhjeve në

struktura të tilla nuk është personaliteti shkencor ose shoqëror i pedagogut ose i

punonjësit shkencor, por shkalla e “lakueshmërisë së tij ndaj vullnetit të shefit”,

“gatishmëria e tij për të çuar kurdoherë në vend vullnetin e shefit” etj. Përvoja

tregon se përgjithësisht pedagogëve ose punonjësve shkencorë më të aftë, me

personalitet më të afirmuar u mungon një profil i tillë lakueshmërie e

përshtatshmërie i vullnetit, ndaj në mjaft raste ata janë jashtë strukturave

drejtuese.

Kjo tablo problematike e përbërjes së strukturave drejtuese të fakulteteve dhe e

institucioneve kërkimore të specializuara është toleruar ose ndoshta është nxitur

edhe nga formulimet djallëzore të akteve nënligjore përkatëse. Për shembull, në

vendimin nr. 786 të datës 17.12.1998, të Këshillit të Ministrave të Republikës së

Shqipërisë “Për kualifikimin shkencor pasuniversitar dhe klasifikimin e

punonjësve pedagogjikë e kërkimorë” strukturat drejtuese të fakulteteve dhe të

institucioneve kërkimore përcaktohen edhe si “këshill shkencor”, edhe si

“këshill administrativ” (Qendra e Publikimeve Zyrtare, 1998:16). Këshilli

shkencor dhe ai administrativ nuk mund të jenë e njëjta gjë. Tjetër përbërje dhe

të tjera kompetenca ka në çdo vend të përparuar të Perëndimit këshilli shkencor

dhe të tjera ka këshilli administrativ.

2. Këshilla të tilla, duke pasur në përbërjen e tyre në mjaft raste jo specialistët

më të aftë, por ata mediokër e nën nivelin e mediokritetit, përgjithësisht janë të

prirur të përkrahin të paaftët, u akordojnë atyre edhe grada e tituj shkencorë të

pamerituar si kapar për t’i mbajtur të lidhur pas vetes ose, siç thuhet, për të

“gatuar specialistë që nuk hapin telashe”. Kësisoj janë zgjeruar përmasat e

mediokritetit, është ulur shkallë-shkallë rendimenti dhe cilësia e veprimtarisë

10

Page 11: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

shkencore edhe për faktin se mediokriteti i shumëfishuar e ka rritur trysninë për

të frenuar më të aftët të përparojnë në fushën e kërkimit.

3. Duke qenë në “skalionin e parë” të këshillave zyrtare nëpër fakultete ose

institute kërkimore, një pjesë e të dekoruarve pa meritë me tituj e grada

shkencore kanë uzurpuar edhe strukturat vendimmarrëse të fondacioneve dhe të

oragnizatave jofitimprurëse, të cilat pas vitit 1992 kanë sponsorizuar edhe në

fushën e kërkimeve. Fakte e të dhëna të shumta provojnë se janë fare të rralla

rastet kur struktura të tilla kanë sponsorizuar studime të specialistëve më të

kualifikuar. Përgjithësisht këto fonde kanë sponsorizuar mediokritetin, madje

herë-herë edhe sharlatanizmin e perversitetet në veprimtarinë kërkimore. Për

shembull, shumë studime për çështje sociale u janë besuar mësuesve të

matematikës ose të fizikës, të biologjisë ose të kimisë, inxhinierëve të papunë

ose teknikëve të mesëm etj., të cilët nuk kanë pasur kurrëfarë përgatitje ose

përvojë profesionale në realizimin e studimeve sociologjike.

Fonde të tilla janë keqpërdorur jo vetëm duke sponsorizuar medioritetin, por

edhe duke shërbyer si burim konfliktimi mes kolegësh, më konkretisht ndërmjet

pedagogëve e punonjësve shkencorë që janë në borde dhe atyre që aplikojnë

për projekte të ndryshme kërkimore. Duke u shprehur për këtë çështje një nga

studiuesit më të shquar të shkencave artistike, ndër të tjera, theksoi me tone

ironike e deri sarkastike: “Si të gjithë studiuesit e tjerë profesionistë edhe unë

jam gjysmak. Unë i kam aq të njohur e miq sa të nxjerr 10 mijë dollarë nga disa

fondacione ose organizata jofitimprurëse, por sedra më pengon të kërkoj e të

gjej të njohur për të kthyer në burim, të paktën gjysmën e kësaj shume. Mirëpo

miku i parë nuk mund të kryejë rolin e tij pa të njohurin e llojit të dytë, ndaj unë

nuk kam pasur mundësi të fitoj zemrën e shefave të fondacioneve dhe as të

kolegëve të mi që janë në bordet e fondacioneve”.

11

Page 12: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

IV. Nga pragmatizmi i diktaturës te mekanizmat

e ekonomisë së tregut

Në vendin tonë në periudhën e regjimit socialist totalitar ka funksionuar njëfarë

pragmatizmi në angazhimin e punonjësve në veprimtari kërkimore shkencore.

Sidomos gjatë viteve ’70 dhe ’80 të shekullit XX, ndër punonjësit shkencorë

qarkullonte nën zë dhe në motërzime të ndryshme mendësia, e cila në thelb

formohej pak a shumë në këtë mënyrë: “Në çdo institut a qendër kërkimore –

shkencore punojnë tri kategori njerëzish. Kategori e parë: të ashtuquajturit

njerëz me biografi të mirë (ish-partizanë, djem dëshmorësh, nipa ose mbesa

heronjsh etj.), dhe miq e të afërm të kuadrove kryesore drejtuese të partisë-shtet.

Kategoria e dytë: punonjësit shkencorë që njëherazi ishin edhe bashkëpunëtorë

të Sigurimit të Shtetit. Përgjithësisht këto dy kategori punonjësish shkencorë

kishin kapacitete nën nivelin mesatar, madje jo rrallë edhe nën nivelin e

mediokritetit. Megjithëkëtë, punonjës të tillë konsideroheshin shtylla kryesore

politike mbështetëse të regjimit në sektorin e arsimit të lartë e të kërkimit

shkencor.

Ndërsa kategoria e tretë shenjohej me karakterizimin vulgar, por jo pak

domethënës, “kuajt që tërheqin karrocën e rëndë të dijes”. Mjaft prej këtyre që

etiketoheshin nga strukturat zyrtare si “njerëz me kleçka në biografi” ose me

“biografi të keqe”, përbënin avangardën e kërkimit” (U kërkoj ndjesë me përulje

gjithë studiuesve të shquar, veçanërisht atyre që nuk janë më mes nesh fizikisht

për këtë karakterizim të vrazhdë, me të cilin i etiketoi koha. Por gjithsesi,

mendoj se vrazhdësia e këtij etiketimi është më e fisme se etiketimi i dy

grupimeve të tjera që vegjetuan në hijen e strukturave të arsimimit universitar e

të instituteve kërkimore. Më ngushëllon edhe fakti që në mitologjinë e lashtë

greke pegasi përfytyrohej si kalë me flatra, në shërbim të muzës së poezisë, të

dijes, etj.). Kur nën zë përdorej shprehja “ai tërheq karrocën”, nënkuptohej se

12

Page 13: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

personi në fjalë ishte studiues i klasit të parë, puna e të cilit kishte rëndësi të

veçantë në institutin kërkimor ku ai punonte. Duke qenë se ishin të interesuar të

arrinin objektiva të caktuar edhe në fusha të caktuara të kërkimit, autoritetet

drejtuese të strukturave partiako-shtetërore të regjimit totalitar i toleronin

kleçkat në biografi të specialistëve më të aftë, të angazhuar në veprimtari

studimore të instituteve. Sidomos në fushat e albanologjisë dhe përgjithësisht në

studimet konkrete për realitetin shqiptar, studiuesit më të afirmuar të periudhës

1948-1990, në mjaft raste edhe duke përballuar peshën e rëndë të persekucionit,

vunë blloqet e parë të mermerit në hierarkinë e vlertë të arsimit universitar e të

kërkimit shkencor. Mbi këto themele është e nevojshme të ngrihet më tej dhe të

konsolidohet hierarkia në çdo sektor të veprimtarisë kërkimore, duke u

mbështetur në mekanizmat e ekonomisë së tregut.

Mendojmë se është e domosdoshme dhe e mundshme që pjesa më e madhe e

veprimtarisë kërkimore të financohet në trajtën e projekteve, në të cilat të

përfshihen grupe të përziera të punonjësve shkencorë të instituteve të

specializuara shtetërore, pedagogë të universiteteve, punonjës të instituteve

private etj. Fondet shtetërore ose publike të orientohen me përparësi në fushën

me kërkimeve albanologjike dhe përgjithësisht në studimet konkrete për

Shqipërinë. Mendojmë se një mekanizëm i tillë financimi e organizimi jo vetëm

do të gjallëronte më tej energjitë krijuese të shumicës së punonjësve të

instituteve, por do të forconte edhe bashkëpunimin e tyre me pedagogët e

universiteteve dhe me financues privatë. Në kudhrën e përpjekjeve të

përbashkëta puna do t’i nxirrte më të aftët, siç thotë proverbi, “në krye të vendit

e në ballë të kuvendit”, do të ndryshonte natyrshëm klimën, në organet drejtuese

të shkollave të larta dhe të instituteve kërkimore të specializuara, do të mbante

ndezur konkurrencën e ndershme e frytdhënëse ndërmjet tyre.

V. Reformime me kahje hierarkizuese

13

Page 14: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit fillesat e hierarkisë në veprimtarinë arsimore e

kërkimore po mbulohen nga inflacioni i titujve e gradave shkencore. Këtë e

provojnë edhe të dhëna statistikore të publikuara nga strukturat përkatëse të

shtetit shqiptar. Në vitin 1990 në Republikën e Shqipërisë punonin 107

specialistë me titullin shkencor profesor. Në vitin 2004 një tregues i tillë ishte

rreth 5 herë më i lartë (Drejtoria e Statistikws e Republikës sw Shqipërisë,

1991:83; INSTAT, 2004:21; përllogaritje e autorit). Nëse nuk do të kishte

fiktivitet në akordimin e këtij titulli shkencor të lartë dhe nëse profesorët do të

angazhoheshin intensivisht në veprimtari kërkimore të kualifikuar, ata do të

përbënin një psuri të madhe të popullit shqiptar. Por, fatkeqësisht mjaft prej

profesorëve e braktisin “frontin” e kërkimit sapo, siç thuhet, “vënë në gjoks

dekoratën e titullit”. Trysnia për të marrë tituj e grada shkencore, ose më

saktësisht, grada e tituj – shtesë rroge, aktualisht është e fortë dhe ka prirje të

rritet, ndërkohë që nivelet dhe rezultatet e punës kërkimore shkencore janë në

rënie dhe në jo pak raste të dyshimta. Me qëllim që hierarkia shkencore në

universitete dhe në institute kërkimore të specializuara të mos deformohet nga

inflacioni i gradave dhe i titujve shkencorë, mendojnë se është e domosdoshme

të ndermerren masa reformuese në dy drejtime kryesore:

V.1. Titujt shkencor-koeficiente për përllogaritjen e honorareve

Kërkesat për kualifikimin shkencor të nivelit master dhe doktoratë mendojmë se

është e domosdoshme njësohen sa më parë me ato të vendeve më të përparuara

të Perëndimit. Sidomos doktorata mund dhe duhet të shënojë një hop cilësor në

kualifikimin shkencor mbiuniversitar. Doktorët e shkencave mund dhe duhet të

paguhen me një pagë dinjitoze për kushtet e vendit tonë. Ndërsa shtesa në pagë

për punonjësit mësimor e shkencor me titull profesor i asociuar dhe profesor të

jetë fare e vogël, gati e papërfillshme, aspak joshëse për ata që nuk kanë

14

Page 15: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

ndërmend të angazhohen seriozisht në veprimtari studimore. Por titujt

shkencorë të shërbejnë si koeficient për llogaritjen e honorareve për punën

kërkimore-shkencore, sidomos kur honoraret jepen nga fondet publike. Për

shembull, nëse punimi studimor i arrirë i një punonjësi me gradë “doktor

shkencash” i paguhet me vlerën 100 për qind, një profesori të asociuar mund t’i

paguhet me vlerën 150 për qind, një profesori me vlerën 200 për qind dhe një

akademiku me vlerën 300 për qind. Një mekanizëm i tillë shpërblimi do të

stimulonte punën kërkimore të kualifikuar dhe tepër të kualifikuar, do të

ndihmonte në krijimin e hierarkisë reale mbi bazën e punës e të arritjeve në

veprimtarinë mësimore e kërkimore në universitete dhe në institute studimore të

specializuara. Një urtësi e popullit e shqiptar thotë: “Puna të mban në flatra”

(Ahmeti, I., 1995:14). Një proverb i tillë merr vlerë të veçantë në fushën e

veprimtarisë arsimore dhe sidomos kërkimore.

Gjithashtu, ky mekanizëm shpërblimi do të topiste ndjeshëm “pasionin” e mjaft

punonjësve për të marrë tituj-shtesë page, do të evidentonte punonjësit që

kryejnë realisht veprimtari kërkimore në përputhje me kërkesat sasiore e

cilësore të titullit shkencor që u është akorduar. Brenda kësaj logjike nuk do të

mbështeteshin me punonjës ndihmës drejtuesit administrativë të veprimtarisë

kërkimore, por punonjësit më të aftë, më me shumë arritje sasiore e cilësore,

përherë të përkushtuar në llogoret e rënda të kërkimit si akademikët Shaban

Demiraj, Hamit Beqja, Alfred Uçi etj. Në epokën moderne asnjë shtet nuk është

varfëruar, duke stimuluar ekonomikisht punën e studiuesve më të shquar.

Përkundrazi, e kundërta ka ndodhur. Ndihmesa e drejtpërdrejtë dhe e tërthortë e

veprimtarisë kërkimore-shkencore për përparimin e shumanshëm të shoqërisë,

për emancipimin e humanizimin e saj rritet vazhdimisht, gati sipas ligjësisë së

progresionit gjeometrik.

IV. 2. Strukturë shumëfunksionale e qëndrueshme – garanci

15

Page 16: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

për përparim të parndërprerë

Përgjatë afro qindvjeçarit të fundit, zhvillimet arsimore në vendin tonë

përgjithësisht janë karakterizuar nga një frymë pastabiliteti, e cila herë-herë ka

marrë trajtën e anarkisë. Procese të tilla kanë frenuar, drejtpërdrejt dhe sidomos

tërthorazi, në masa të caktuara, pothuajse të gjithë zhvillimet e tjera në

shoqërinë shqiptare. Ndaj mendojmë se është e domosdoshme që të merren

masa për kufizimin e ndikimeve të çdo elementi anarkik në fushën e

veprimtarisë arsimore e kërkimore-shkencore. Mendojmë se shtyllën kryesore të

këtij sistemi masash e përbën krijimi i një struktura të qëndrueshme në formën e

një këshilli ose komiteti kombëtar, si të thuash, të një miniparlamenti

profesional me kompetenca të gjera diskutuese dhe vendimmarrëse për çështjet

themelore, me rëndësi për të tanishmen dhe për të ardhmen e veprimtarisë

arsimore e kërkimore - shkencore në Republikën e Shqipërisë. Idenë e kësaj

strukture të depolitizuar e kemi theksuar e arsyetur në mënyrë të detajuar disa

herë në biseda e intervista të ndryshme të transmetuara nga disa televizione

private gjatë viteve 1999–2004.

Kjo strukturë lipset të përbëhet nga mësues, pedagogë e punonjës shkencorë nga

më të aftët, më të ndershmit, më të përkushtuarit e më vizionarët, me mandat 6

deri 11 vjeçar, pra më kohëgjatë se ai i deputetëve të Kuvendit të Republikës së

Shqipërisë. Mandati afatgjatë i këtij organizmi të gjallë përcaktohet nga fakti se

çdo reformë rrënjësore në sistemin arsimor i jep frytet e saj, të ëmbla ose të

hidhura pas 18 deri 23 vitesh. Një strukturë e tillë e përbërë nga profesionistë

dhe jo nga politikanë, mund e duhet të kryejë këto funksione krysore:

1. Do të shërbejë si këshilluesja më e kualifikuar, më vizionare dhe

profesionalisht më imponuese për problemet themelore të zhvillimeve arsimore

16

Page 17: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

e shkencore për çdo qeveri, pavarësisht nga profili i saj politik, i majtë ose i

djathtë.

2. Ky “miniparlament” i fokusuar vetëm në problematikën e veprimtarisë

arsimore e kërkimore-shkencore do të funksionojë edhe si oponenca më e

argumentuar, më e qëndrueshme, më e drejtpërdrejtë ndaj mangësive,

politizimeve dritëshkurtëra dhe keqorientimeve në trajtimin e çështjeve të

ndryshme të kësaj fushe prej çdo ministrie arsimi e shkence, prej çdo qeverie.

3. Kjo strukturë do të përcaktojë rregullat e konkurencës së lirë e të ndershme

dhe do të shërbejë si “gardian” i zbatimit me korrektësi të tyre në sektorin e

arsimimit të të gjithë niveleve dhe të veprimtarisë kërkimore. Vlera kulturore e

konkurrencës së ndershme lipset të kultivohet në vetëdijen e nxënësve që kur

janë në bankat e shkollës. Mjaft fakte provojnë se një vlerë e tillë është mjaft e

zbehtë në vetëdijen e nxënësve. Nga një studim – anketim i realizuar vitet e

fundit rezulton se vetëm 4.3 për qind e nxënësve adoleshentë të shkollave të

mesme konfliktohen me njëri-tjetrin si rrjedhojë e konkurrencës jokorrekte në

procesin mësimor, ndërkohë që është mjaft e lartë pesha specifike e të

konfliktuarëve për motive të paarsyeshme, si 25.1 për qind konfliktohen për

thashetheme, rreth 22.6 përqind për keqkuptime të rastit, afro 18.3 për qind

konfliktohen për shaka të tepruara dhe të tjerët për paragjykime të

shumëllojshme (Dervishi, Z., 2005:89). Konkurrenca e ndershme është një nga

gjeneratorët kryesorë të zhvillimit të shoqërisë demokratike edhe në vendin

tonë, sidomos në sektorin e arsimit dhe në fushën e veprimtarisë kërkimore –

shkencore.

4. Ky këshill do të mbajë përgjegjësi të plotë morale dhe në një masë të madhe

edhe zyrtare para opinionit publik, para popullit shqiptar për ecurinë e të gjitha

zhvillimeve arsimore e kërkimore, si një nga faktorët kryesorë përcaktues të

17

Page 18: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

përparimit të shumanshëm të shoqërisë shqiptare, të përafrimit të saj me

standardet e përpunuara euroatlantike, të integrimit të saj në familjen e

shoqërive perëndimore.

18

Page 19: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

Literatura kryesore

* Abbott, Andrew: The System of Proffessions: An Essay on the Division of

Export Labour, University of Chicago Press, Chicago, 1998.

* Dervishi, Zyhdi: Adoleshentët, bashkëjetesë me demonët e konflikteve, Shtëpia

Botuese “Jerusalem”, Tiranë 2005.

* Drejtoria e Statistikës e Republikës së Shqipërisë: Vjetari Statistikor i

Shqipërisë – 1991, Tiranë 1991.

* Durham, Edith: Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe

shqiptarët, Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë 1990.

* Fjalë ari nga shqiptari (Mblodhi e përgatiti për botim Ismail Ahmeti), Tiranë

1995.

* Gjeçov, Shtjefën: Kanuni i Lek Dukagjinit, Botimet ALBINFORM, Tiranë

1993

* Illia, Frano: Kanuni i Skanderbegut, Editrice la Rosa, Milot 1993.

* Instituti i Statistikës i Republikës së Shqipërisë (INSTAT): Vjetari i treguesve

sociale – 2004, Tiranë 2004.

* Kaku, Michio: Visions: How Science will Revolutionize dhe 21st Century and

Beyond, Oxford University Press, Oxford 1998.

* Konica, Faik: Vepra 2, Botimet DUDAJ, Tiranë 2001

19

Page 20: 05 Shoqeria Shqiptare Zyhdi Dervishi 05

* Macionis, John J. and Ken Plummer: Sociology (A Global Introduction, Third

Edition), Pearson Prentrice Hall, New York, 2005.

* Macionis, John J.: Sociology (Tenth Edition), Pearson Prentrice Hall, New

Jersey, 2005.

* Merton, Robert K.: On Social Structure and Science, Unviersity of Chicago

Press, Chicago 1996.

* Qendra e Publikimeve Zyrtare: Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë,

mars 2000 (Ekstra).

* Rocca, Roberto Morozzo Della: Shqipëria, rrënjët e krizës, Botimet “Shtëpia

e librit dhe e komunikimit”, Tiranë 2000.

20