14
BALADA E LIQENIT Novelë Nga - Abdurrahman THAÇI …Ishte i ri, entuziast, i bukur, mbushur plot jetë. Njeri me temperament paksa melankolik, kishte disa veti karakteristike. Karierën e tij si muzicient e filloi me mjaft sukses… Pas takimit me Artemidën, gjithçka rreth tij e ndërroi formën dhe mori teposhtëzën. Ai mbeti i lënë anash; i pavlerë, i vetmuar… Askush nuk e ndihmoi, askush nuk e udhëzoi. Edhe shiu që binte parreshtur, nuk kishte dhembje për të, e lagte pamëshirshëm. Asgjë se pengoi që ta përcjell atë, hap pas hapi, si një hije, prej ahengut në aheng… E ajo e jetonte jetën e saj, sikur s’kishte ndodhur asgjë. Mos vallë ia shfrytëzoi mirësinë, apo edhe naivitetin?! Atë natë hëna e plotë dhe e kuqrremtë e fundqershorit ia ndriçonte fshehtësinë e trupit të saj me përmasat e një hyjneshe… Kjo Maestron e pruri deri te akti i sprovës së rëndë: karrierën e tij të shkëlqyeshme artistike apo rrugën e dashurisë fatale deri në çmenduri!… Ditën vendimtare në festivalin ndërkomëtar “ Baladën e liqenit “ kishte dashur ta ekzekutoj si kurrnjëherë më parë…? Asnjëherë më pas nuk kam mundur ta kuptoj atë periudhë të jetës sime, që më kaloi pa e hetuar fare. Sot e kësaj dite më rri në kujtesë Maestro dhe ajo bukuroshja, për të cilën më vonë mësova se quhej Artemida. Ata hynë dhe dolën në jetën time, vetëm sa çelë e mbyll sytë… Më duket se që atëherë nisa të merrem edhe me shkrime... Kjo ndodhi në një stacion lokal në periferi të qytetit pitoresk, kur Maestro po e priste autobusin për t’u kthyer në shtëpi. Shkaku i violinës që mbante nën sjetull, kravatën flutur dhe lëvizjeve që i bënte me këmbën e djathtë me një takt të caktuar, udhëtarëve tjerë menjëherë iu ra në sy, por u dakorduan duke pohuar secili në vete : “ Punë artisti më” Kur turmës iu bashkangjit Artemida, Maestro ra nga qendra e vëmendjes. Ajo shëtiti shikimin në fytyrat e të gjithëve dhe ndaloi mu në sytë e tij. Ai uli shikimin

ABDURRAHMAN THAÇI - BALADA E LIQENIT

Embed Size (px)

Citation preview

Page 1: ABDURRAHMAN THAÇI - BALADA E LIQENIT

BALADA E LIQENIT Novelë Nga - Abdurrahman THAÇI

…Ishte i ri, entuziast, i bukur, mbushur plot jetë. Njeri me temperament paksa melankolik, kishte disa veti karakteristike. Karierën e tij si muzicient e filloi me mjaft sukses… Pas takimit me Artemidën, gjithçka rreth tij e ndërroi formën dhe mori teposhtëzën. Ai mbeti i lënë anash; i pavlerë, i vetmuar… Askush nuk e ndihmoi, askush nuk e udhëzoi. Edhe shiu që binte parreshtur, nuk kishte dhembje për të, e lagte pamëshirshëm. Asgjë se pengoi që ta përcjell atë, hap pas hapi, si një hije, prej ahengut në aheng… E ajo e jetonte jetën e saj, sikur s’kishte ndodhur asgjë. Mos vallë ia shfrytëzoi mirësinë, apo edhe naivitetin?! Atë natë hëna e plotë dhe e kuqrremtë e fundqershorit ia ndriçonte fshehtësinë e trupit të saj me përmasat e një hyjneshe… Kjo Maestron e pruri deri te akti i sprovës së rëndë: karrierën e tij të shkëlqyeshme artistike apo rrugën e dashurisë fatale deri në çmenduri!… Ditën vendimtare në festivalin ndërkomëtar “ Baladën e liqenit “ kishte dashur ta ekzekutoj si kurrnjëherë më parë…?

Asnjëherë më pas nuk kam mundur ta kuptoj atë periudhë të jetës sime, që më kaloi pa e hetuar fare. Sot e kësaj dite më rri në kujtesë Maestro dhe ajo bukuroshja, për të cilën më vonë mësova se quhej Artemida. Ata hynë dhe dolën në jetën time, vetëm sa çelë e mbyll sytë… Më duket se që atëherë nisa të merrem edhe me shkrime...

Kjo ndodhi në një stacion lokal në periferi të qytetit pitoresk, kur Maestro po e priste autobusin për t’u kthyer në shtëpi. Shkaku i violinës që mbante nën sjetull, kravatën flutur dhe lëvizjeve që i bënte me këmbën e djathtë me një takt të caktuar, udhëtarëve tjerë menjëherë iu ra në sy, por u dakorduan duke pohuar secili në vete : “ Punë artisti më” Kur turmës iu bashkangjit Artemida, Maestro ra nga qendra e vëmendjes. Ajo shëtiti shikimin në fytyrat e të gjithëve dhe ndaloi mu në sytë e tij. Ai uli shikimin

Page 2: ABDURRAHMAN THAÇI - BALADA E LIQENIT

për tokë dhe saora u skuq në fytyrë. Pas pak dominoi edhe zëri i saj posi një melodi: -Ju duhet të jeni muzicient, apo kompozitor? -Ai s’bëzani, vetëm rrudhi krahët, pa e saktësuar në ishte vetëm muzicient apo edhe kompozitor, as ajo nuk ngurroi aq shumë për të saktësuar profesionin e tij. Pas pak shpalosi edhe letërnjoftimin e saj, pa e pyetur kush, ndonëse atë e bëri duke menduar se ata ishin kurreshtarë.

-Unë jam Artemida M. pianiste, kam specializuar në liceun e Vienës, sigurisht se keni dëgjuar për mua?… As Maestro e as të tjerët s’pohuan gjë. E gjithë kjo bisedë erdhi papandehur. Ndërkohë erdhi autobusi, Maestros iu ngatrruan këmbët dhe mbeti vetëm. Ajo si një perëndeshë e fjetur iu bashkangjit turmës, hyri brenda dhe me shpejtësi u përul në dritaren e hapur. Maestro e ndjeu veten pak më shlirshëm dhe për të parën herë ia pa sytë e saj të zi e të thellë shkëlqyes, ato flokë korb të zeza e të thurrur në një gërshetë të trashë shpeshtak. Ajo ia bëri me një lëvizje të dorës që të hypte, por atij sikur iu prenë këmbët dhe as që lëvizi nga vendi. E gjithë kjo qe e papritur dhe iu duk se u këput si një gjeth i zverdhur kur tundet nga një erë e fortë. Brenda atyre qerpikëve ia pa sytë më të bukur të botës… Sy të tillë kurrë s’kishte parë në jetë… Sy që i shkrepnin madhështi… Kur u nis autobusi ajo rrudhi buzët e trëndafiltë prej së largu dhe puthi gishtin e saj tregues.

Maestro në njëzetekatër vitet e tija, një skenë të tillë kurrë s’e kishte parë e përjetuar. Për një moment sikur u lirua nga ankthi. Një mendje ia thoshte ta ndalë autobusin, por një gjë e tile ishte e pamundur. Kur pa se çdo gjë ishte e kotë, ra në gjunjë në mes të rrugës si i përhumbur, sigurisht qe një ngacmim shpirtëror që nuk mund të fshihej lehtë…

Prej asaj dite, Maestro me muaj të tërë ditë e natë shkonte te ai stacion lokal. Jo vetëm aty, por kacafytej nëpër të gjithë autobusat urbanë, në mos po e takonte rastësisht atë bukuroshen e humbur pa gjurmë… Për të cilën, veç emrit dhe që ishte pianiste, asgjë më tepër nuk dinte. Ai insert i shkurtër i asaj dite nuk e lente të bëjë gjumë të rehatshëm. Nganjëherë i

Page 3: ABDURRAHMAN THAÇI - BALADA E LIQENIT

shtrëngonte kapakët e syve për ta zhdukur atë imazhin në kujtesën e tij, por qe e kotë… Mallkonte veten, se si iu mbyll goja, pikërishtë atë ditë, kur u deshtë të dijë më shumë për te, si thonë më të vjetrit: “ Një llaf goje, një dukat “

Vera ishte në kulm. Artemida mbante syza të errëta dielli mbi sy, me flokët e mbledhura në stilin e balerinave. Rrinte mbështetur në parmakët e verandës dhe thithte me mushkëri erën e këndshme të jorgovanëve të posaçelur. Ajo saktësisht e dinte numrin edhe në përqindje më të vogël të të gjithë atyre njerëzve që veronin në qytetin e saj. Maestro disaherë kishte kaluar edhe skaj vilës, por ajo nuk e ndaloi edhepse e mahniti bukuria dhe njomëria e tij. Vetëm e përcillte me sytë e saj të ndezur e të dashuruar, sepse tashmë nuk ishte ajo çapkanja kur nuk i mungonte asnjë ajme e flokut. Shumë ishte endur nëpër botë, kërkonte po atë engjull i cili tani po i ndriçon si yll. Por vonë…tepër vonë… Mosha e rinisë i shkoi në kërkim… Tashti në të dyzetepestat provoi të improvizojë një lloj dashurie... E keqja është se ajo ia robëroi shpirtin Maestros, që ia ktheu me një dashuri të pastërt. E ajo, nga ana tjetër do të humbte konsideratën e përfillësve dhe bashkëshortit, tregtar në emër…

Ditët paloseshin mbi njëra tjetrën. Fundqershori ishte i këndshëm dhe joshës për të gjithë vizitorët e qytetit pitoresk buzë liqenit. Ditë që i sollën një gëzim edhe Maestros, ngase ishte i ftuartë të merrte pjesë, si solo egzekutues në një koncert për violinë, të organizuar nga prefektura e qytetit. Mbase ky ishte një rast i mirë për të, se do të njihej me artistët tjerë, ku është mëse e mundur të jetë e ftuar edhe Artemida…?

Salla ku do të mbahej koncerti ishte e rregulluar solemnisht. Nga vizitorët e shumtë që ishin tubuar s’kishe ku ta përbirosh gjilpërën. Maestro i veshur me kostumë të zi, me këmishë te bardhë dhe kravatën flutur, shkëlqente i ndritur nga reflektorët që iu ishin drejtuar atij. Nuk kishte fare drojë, bile u entuziazmua sa s’bëhet kur në rendin e parë, aty ku ishin ulur mysafirët e veçantë, u ndesh me shikimin e bukuroshës së tij

Page 4: ABDURRAHMAN THAÇI - BALADA E LIQENIT

të humbur… Kurrë në jetë gjatë gjithë karierës së tij, nuk kishte qenë aq briliant në ekzekutim. I mahniti të gjithë, aq sa në fund të gjithë që ishin prezentë në sallë, i bënë nderë me ngritjen në këmbë njëkohësisht edhe duke i duartrokitur pandërprerë, në mesin e tyre edhe Artemida, e cila ishte më e zëshmja. Pas përfundimit të koncertit, për nderë të Maestros dhe pianestes në zë që prezentonte, kryesuesi i prefekturës të gjithë të pranishmit i ftoi që të kalojnë në foajenë e sallës koncertrale, për një koktel të rastit…

Ajo çau turmën e mysafirëve dhe iu mësye Maestros, i cili tërë kohën ngrihej në maje të gishtave në mos po e shihte gjëkundi. Sapo iu afrua, e puthi furishëm në buzë që i drithërinë nga kontakti me buzët e saja që dalengadalë u shkrinë në një puthje të bukur, të tendosur, të çmendur... Pastaj me një zë të ëmël duke shpotitur i tha:

-Kjo ishte dhurata ime për prezentimin tëndë të suksesshëm! Mua më quajnë Artemida dhe jam shejtankë e vërtetë ! Po ti cili je, Maestro që çartesh pas autobusave?… Kam informata se më keni kërkuar si një i çmendur. -Ajo që është e bukur nuk guxon të humbet, - ia ktheu Maestro, me një zë të dridhur port të ëmbël i lumtur me shijen e të puthurës në buzë - bukuria duhet të shijohet, nëse nisë të zbehet ajo duhet të ripërtrihet… -këto edhe ishin belbëzimet e para të tij, karshi asaj që e kërkoi me muaj të tërë. Pas një heshtje të shkurtër, ajo e mati me bisht të syrit, fund e krye dhe me një zë të vendosur ia ktheu si në vend të përgjigjes: -Shih, shih, po ti veç talentit si muzicient, na qenke edhe poet… Por unë tu kisha lutur që të lirohesh prej meje. Se jeta është shumë e shtrenjtë. Unë për veten nuk dua të ankohem se nuk kam jetë të mirë. Atë e harxhoj ashtu si dua vet, por e kam edhe një dirigjent, pa ndihmën e tij do të isha një zero e madhe. Gjithmonë do të mbetesha një provinciale e thjeshtë. Çka po mendon ti, tani kur ne po dëfrehemi dhe i ngrejmë gotat, ku gjendet ai?!...

Ai deshti ta puthte atë zë të ëmbël, që e kërkoi në mijëra të tjerë.

Page 5: ABDURRAHMAN THAÇI - BALADA E LIQENIT

Gjaku i pikoi nga zemra e i shkoi gjeri në fund të këmbëve. Shpirtin do ta shkrinte për të gjetur një shteg t’i flaket në përqafim, e le të digjet pastaj nga zjarrmia e trupit të saj…

-Artemida ti je vasha e parë që puthë buzët e mija! Jam i gatshëm të paguaj çfardo çmimi, sepse të dua me tërë qenieni time! Derisa isha në skenë prania yte më dha shpresë, më dha forcë për ta arritur të pamundurën… - deshti të flasë edhe më tutje, por ajo prap i ndërhyri: -Ti je tepër i ri kundrejt meje. Balli im është si jë pasqyrë e zezë karshi çiltërsisë dhe rinisë sate. Ka plot vasha të reja edhe më të bukura se unë… -papritmas dialogun e tyre e ndërpret zëri i kryesuesit nga autoparlanti… “ Mysafirë dhe miq të dashur t’i ngrehim gotat për nderë të Maestros dhe pianistes të cilët në muajin e ardhshëm do ta përfaqësojnë qytetin tonë në festivalin ndërkombëtarë të vitit që mbahet në kryeqendrën tonë…- të gjithë u drejtuan kah ata dy, ngrenë gotat lartë dhe si në kor ia prenë njëzërit : “ Gëzuar për shumë suksese!…” Pas këtij ceremoniali, ajo si një flutur krahëlehtë pa e hetuar të pranishmit ia mësyu derës së daljes, për të vazhduar pastaj drejtë bregut të liqenit. Maestro gjatë tërë kohës po e përcillte largimin e saj dhe ju duk se ia bëri me shenjë që t’i shkoj pas…? Ishte natë… Nga më të bukurat dhe më të këndshmet të asaj vere. Nga veranda e hotelit që zhytej në liqen e që gjendej përballë ndërtesës ku mbaheshin koncertet, së bashku me puhizën e freskët vinin edhe tingujt melodioz e nje hit -melodie më të dëgjuar të saj kohe, që ua joshte shpirtërat mysafirëve të fundit të mesnatës që derdheshin nëpër shtëpitë e tyre… Por, jo vetëm atyre, ata tinguj melankolik përkulën edhe valët e buta të liqenit edhe hirësinë e hënës së plotë që nusëronte për qejfin e Maestros dhe pianistes që po përgatiteshin ta loznin tangon e parë dhe të fundit të jetës së tyre, të udhëhequr nga ritmi i valëve të liqenit dhe nën mbykqyrjen e hënës së plotë…

Dikur kur u fik edhe drita e fundit në sallë, kur veç melodisë dhe shushurimës së valëve s’pipëtinte asgjë, Maestro me një vendosmëri i shpejtoi hapat drejt bregut të liqenit… Ku po e priste protagonistja e

Page 6: ABDURRAHMAN THAÇI - BALADA E LIQENIT

dramës së tij e zhytur në zall e që i vezulloi si një perëndeshë e fjetur. Për një çast iu duk se veten e pa në podiumin e amfiteatrit më të lashtë të rrethuar nga mijëra spektatorë dhe se duhet ta lozë rolin më briliant të karierës së tij… nga ana tjetër Artemida shkëlqente në fustanin e bardhë e të tejdukshëm, saqë ngjyra e hënës së kuqrremtë përbirohej mbi te dhe ia zbulonte vijat e trupit me përmasa hyjnore, duke e vizatuar lakuriq mbi syprinën e liqenit të heshtur… Maestros e gjithë kjo i ngjante në një ëndërr që s’dëshironte të përfundojë kurrë. Mirëpo, u këndell kur dëgjoi zërin e saj, që i këngëtoi pa e kthyer kokën nga ai:

-E dija se do të vish, pëllumbi im i vockël. Ti njomaku im i harlisur.-Ai nuk i foli asgjë, por e kaploi një drithërimë u rrënqeth kur hetoi ngrohtësinë e dorës së saj në gjoks, kur nisi t’ia zbërthej këmishën… Ajo ishte parapërgatitur. Veç fustanit asgjë nuk kishte mbi trup. Disa nga rrobat e imëta dhe çorapet e holla i kishte gjuajtur bregut të liqenit. Edhe ai nuk ndejti duarkryq me një zhdërvjedhësi ia hoqi edhe fustanin. Të zhveshur, trupat dridheshin, përziheshin…fashiteshin dhe digjeshin, thithnin djersët dhe erën e përzier me parfum… Etje për brendi trupore… Rrotullime shpatullash, dënesje therrëse… Thirrje për ekstazë, zjarr asgjësie… Kafshime të ëmbëla e të egra, gërvishje… Në atë gjysëm errësirë dy truptha të përputhur u shkrinë në një, u përzinë me zallin e imët. Valët e liqenit sikur u inatosën me ato skena dhe mospërfilljen e tyre, kohë pas kohe iu gjuheshin rrëmbimthi në mes të përqafim të tyre duke vallëzuar me flokët e saja të shprishura mbi rërë... Ai kësaj here nuk ishte në cilësinë e maestros, aranzhimin, ekzekutimin, të gjitha i la në duart e saja…

Pas disa orëve të tëra, ajo u ngrit dhe me shuplakë të dorës flakte zallin që i vezullonte në trupin e djersitur, shpërlau fustanin në ujin e kthjellët e shtrydhi paksa dhe e veshi, freskia e tij i ra melhem për trupin e vakët. Para se të ikte i dhuroi një shikim Maestros që po përpëlitej si një zog i plagosur, pastaj belbëzoi sa për vete, “ Pusho pakëz ti qengji im, se unë ika, më zuri vonë…”.

Page 7: ABDURRAHMAN THAÇI - BALADA E LIQENIT

Ai ishte i gatshëm qysh nga ajo natë, të dalë para publikut në çfarëdo festivali garues, në një konkurencë edhe më të fortë, që ndonjëherë ishte organizuar në kryeqendër. Pastaj pas disa provave të bëra, në krye të komponimit pa u hamenduar fare shënoi titullin: “ Balada e liqenit”

Prej asaj nate Artemida më nuk u duk fare… Ato ditë të kaluara me të, Maestros i ngjanin vetëm në disa sekuenca filmike, që mund të shihen e të përjetohen vetëm në një premierë filmi. Ai nuk la vend pa e kërkuar, nuk kaloi ditë as natë pa e përkujtuar, aq sa edhe në dhomë i hyri. Mbi piano ia la partiturat e komponimit të nënshkruara në emër të saj, që s’paku të jetë e përgatitur për ditën e festivalit. Mungesa e saj Maestron e pruri në një angështi të plotë, gjithnjë e më shumë thellohej vetmia në brendinë e tij. Çdo ditë e kaluar pa të i dukej shterpë. Nuk e dinte më, në e dashuronte më tepër, apo e urrente. Herë pas herë, si rreze dielli i shfaqej parasysh imazhi i tij i dashur . Kur u lodh së kërkuari filloi t’i shfaqet dyshimi: A është e mundur të ket lozur me mua? A është e mundur që nga ajo dashuri gufuese, mos të ketë aspak ndjenja? Mos vallë e shfrytëzoi naivitetin tim, e tani aktëron..? – kujtoi edhe muzgjet e jorgovanëve, rendjen buzë liqenit, trupin dhe shpatullat e zhytura në zallë kur hëna e kuqërremtë e fundqershorit ia përndiste supet dhe fshehtësitë e trupit me përmasat e një hyjneshe… Këto skena atyre ditëve të kërkimit i shfaqeshin shpesh e më shpesh, ndaj edhe sytë e tij të kaltërt dukeshin pa jetë, i mbusheshin me lotë e belbëzonte me një timbër të ëmbël: “ O perëndi! Përse aq shtrenjtë ma shet lumturinë? Kur e din se në shpirtin tim është pikturuar “ shenjtëria e saj”… Patjetër kishte ti kujtojë piklat e ujit që ende i rrinin vjerrur në lëkurën e saj të rreshkur nga dielli. Kur ajo shpeshëherë shkonte në plazhin e preferuar dhe nuk i mënjanonte ngase ishte e vetëdijshme se në to deomos do të thehen rrezet e diellit si në copëzat e kristalit. Ai vezullim i ylbertë provokonte çdo sy, e sidomos atë të Maestros. Ai shkëlqim kristalor u zbeh vetëm kur mbi trupin e saj hodhi fustanin e mëngjesit, të çelur përpara aq sa kofshët i mbetën të zhveshura dhe dehnin çdo shikim kurreshtarë. Këto skena Maestros i ngjanin vetëm në ato të trilerëve filmik, e shkrumonin dhe e molisnin deri në agoni. Atyre çasteve patjetër e kishte ta përkujtojë mbrëmjen e liqenit…

Page 8: ABDURRAHMAN THAÇI - BALADA E LIQENIT

Kur ajo fashiti trupin e lakuriqësuar në dallgët e kthjellët, kur dilte mbi sipërfaqe të ujit, kur atij nuk i besohej se atë mbrëmje ajo krijesë perëndie i takonte vetëm atij. I dukej një pikturë e gjallë që i ndërron pozicionet në një mijë variante për hirë të tij dhe të hënës së kuqërremtë që ia përndriste çdo fshehtësi të trupit të saj. Edhe hëna perëndeshë do t’ia kishte zili asaj krijese që në të shumtën e rasteve pjesë të lakuriqësisë bojë ari e mbulonte me flokët e dendura dhe korb të zeza…

Një ditë para festivalit ajo vendosi që të bisedoj me të. E gjeti në dhomën e tij të punës duke e ekzekutuar një melodi të vjetër. Ai e lëshoi violinën në tavolinë dhe harkun mbi të, atë e bëri me një përkujdesje të veçantë, ndërsa përshëndetjen e saj as që e dëgjoi sepse sytë e saj e magjepsën, e bënë për vete... Flokët e gjata kësaj here i kishte derdhur pas shpine aq sa Maestros iu duk se se ajo erdhi si një perëndeshë fluturimthi.. Me atë shikimin nostalgjik dhe atë fustanin e ndritshëm të ngjante në një vajzushë të pafajshme. Qetësinë momentale të krijuar hë për hë në dhomë mundohej ta prish Maestro, për ikjen e saj pa lënë asnjë gjurmë… Nuk i tregoi fare se sa kohë kishte humbur, duke e kërkuar, ngase ajo ate e dinte, por pa u menduar shumë, thjesht ia nisi bisedës:

-Artemida, ti me dashje apo rastësisht më hyre në jetën time, më degdise dhe më trete…Tërë kohën kur ti mungon, mua më mbyt malli për netët që i kalova me ty… Më je bërë idhull i epsheve të mia dashurore…fjalinë e fundit ia tha më me vendosmëri. Ajo edhe i priste këto fjalë nga ai, ndaj ia ktheu me një butësi dhe një zë të vendosur:

-Ti tani nuk guxon të dashurohesh kurrsesi… Ti duhesh të kesh vetëm një dashuri… Violina ? ! Ajo duhet te jetë dashuria e yte e vetmja, të tjerat vijnë me kohën me përmasa të caktuara… Ka shume gjëra në jetë që zgjojnë ndjesi të reja, takimi me njerëz të rangut tënd do t’ia shtojnë vlerat asaj që quhet jetë. Unë shumë lehtë kam dalë nga thellësia, jam ngritur, e ndihmuar e perkrahur dhe e llastuar nga fasada e rendit në fuqi. Tani ndrisë,fascinoj

Page 9: ABDURRAHMAN THAÇI - BALADA E LIQENIT

dhe dominoj e kam parasyshë se kjo ngritje e ka edhe rënien… Rënien mund ta përjetoj vetëm nëse vazhdoj me ty?!... Unë kam konsideratë për talentin tënd, por nëse do të krijosh edhe më tutje, krijo dhe kompono vetëm për solo ekzekutim në mua më mos llogarit… Po ta them si një mikeshë e shpirtit e jo si një dashnore. Ti do të arrish në kulmin e kulmeve… Ngase kulmi im është ky që është? Është arritur nëpër koluare, pa djersë pa atë artin e vërtetë…- Këto fjalë intime të jetës së saj e befasuan Maestron, e detyruan që ti përkushtohet edhe më shumë asaj, që në ato momente sytë iu ishin mbushër me lotë… Duke mos dashur që ta lëndoj me ndonjë frazë të gabuar, më në fund i ndërhyri në bisedë: -Mos fol ashtu Artemida ime,- fjalën “ ime” e tha aq ëmbël dhe me loçkë të zemrës, -në kulmin e kulmeve do të ngjitemi vetëm së bashku. Pianiste më të talentuar s’kanë parë sytë e mi, tinguj më melodioz s’kanë dëgjuar veshët e mi…Gjatë tërë jetës sime… Nesër do t’iu mbajmë leksion muzikor, do ti fascinojmë edhe laikët më të mëdhenjë të artit muzikor, do të shohish dhe do të bindesh…- Deshti të flasë edhe më tutje po ajo prap e ndërpret: -Ty të duket ashtu se je dashuruar në gishtërinjtë e mi, e jo vetëm në ata…çdo gjë e imja ty të duket e bukur, madhështore… Publiku vërtet do të impresionohet dhe do t’më duartrokasë mua, por jo edhe djersës sate… Më mos ma firmos emrin tim në krijimet tua… Mos më detyro të reagoj publikisht në media… Unë jam shoqëruar me shumë kompozitorë nga më të famshmit. Këtë famë që e kam tani, nga jashtë duket se shkëlqen, por në brendi është e zbehtë e murgët…Nesër nuk do të shoqëroj në koncertin e përbashkët, këtë erdha edhe të ta them. Baladën e kam egzekutuar gati për çdo natë, ajo është kryevepër…antologjike…Të lumtë!…-Pas këtyre fjalëve u ngrit e puthi vrullshëm në buzë dhe doli jashtë banesës, vazhdoi koridorit pa e kthyer kokën prapa… Ai u ngrit, i shkoi pas , e thirri disa herë në emër, por qe e kotë, ngase ajo u fut në autotaxin e parë që ia behu rrugës kryesore… Mëngjesi i ditës së nesërme gdhiu si një mrekulli. Fryente një erë e këndshme, gjithçka është e tejdukshme, aq sa tani mund ta sodisje shtrirjen e liqenit deri skaj bregut matanë. Në kryeqendër çdo gjë ishte në shenjë të festivalit, nëpër mure e pothuajse në çdo vitrinë të shitoreve ishin të ngjitur

Page 10: ABDURRAHMAN THAÇI - BALADA E LIQENIT

pllakatat me portretin e përbashkët të tyre. Para sallës ku do të mbahej festivali, ndaleshin e iknin veturat luksoze. Maestro ishte para një sprove të madhe, por atë vetëm një pyetje e mundonte : “ Athua a do të vij Artemida”.

Salla ishte grandioze e dekoruar si në përralla, e ndriçuar prej qindra reflektorësh… Qetësinë e heshtur e çanë hapat e sigurtë të Maestros i cili u ndal në pozicionin gaditu me kokë të unjur në mesin e podiumit… Përnjëherë buçiti tërë salla nga duartrokitjet frenetike. Ai me pedantëri përputhi violinën në krahëror, në dorën tjetër mes gishtërinjëve shtrëngoi harkun, spektatorët ishin bërë sy e veshë dhe përgjonin… Qartazi shihej një lloj frike dhe nervoze në fytyrën e tij, paksa edhe këmbët zunë ti dridhen… Shëtiti shikimin e tij në rendin e parë dhe u entuziazmua kur e pa mbretëreshën e tij që i buzëqeshi e që i fali një shikim të rreptë, sikur deshti ti thotë : “ Unë jam me ty”. Ai përnjëherë u sforcua dhe lëvizi gishtat mbi telat e violinës, thuajse me ata gishtërinjë po e qëndiste gjergjefin e dashurisë…Tingujt mbuluan çdo hapësirë, kllapitën çdo zemër, çdo spektator lëvizte kokën sipas harkut të tij, ngase ai me talentin që zotëronte, të gjithë i bëri për vete… Kur përfundoi, deshti të largohet por s’ishte e mundur nga ajo brohoritje flakëruese. Ata kishin frikë se do të ikte pa e egzekutuar kryeveprën” Balada e liqenit” dhe përnjëherë të gjithë të pranishmit filluan të brohorisin :” Buzë valëve…buzë valëve…buzë valëve…” -Maestro rrudhte supet, sikur deshte t’ua bëj me dije se atë komponim nuk mund ta ekzekutojë pa Artemidën… Si për çudi, intonacioni i brohoritjeve ndërroi në…: “Artemida…Artemida…Artemida..:” Kurrë në jetë më shumë se atë mbrëmje, kishte dashur të ekzekutoj për atë publikë që ishin çartur, për shpirtin e tij të zbrazur në tinguj… Përqëndroi sytë e tij, në rendin e pare ku qe ulur ajo, u trondit kur vëreu karrigen e zbrazët… Përplasi instrumentin e tij për dysheme dhe si vetëtimë ia mësyu dyerve të daljes, nga pas i erdhën breshëri fishkëllimash dhe britmash: “ Uaaa… uaaa….uaaa…!” E kërkoi nëpër të gjitha lokalet dhe rrugët e qytetit, por atë sikur e përpiu toka…

Page 11: ABDURRAHMAN THAÇI - BALADA E LIQENIT

Gati gjatë gjthë shtatorit Maestron e gjejmë buzë liqenit… Ishte një mbrëmje e bukur, ai rrinte ulur përballë liqenit i parruar i shqyer, me këmbët e futura në ujë dhe po gjuante guralecë të imët në liqen. Një çift i dashuruar, derisa ecnin të përqafuar e shikuan dhe qeshën. Liqeni i ushqente me ngjyrën e tij të verdhë derisa futeshin nën trëndafilat e lartë që iu thurrnin kurorë dashurie. Ai i shikonte ata dy me admirim dhe i parashtronte disa pyetje vetvetes, po nga askush s’merrte përgjigje veç asaj s’pati askënd tjetër në botë: “Cila tani do të bëhet ajo që ia ëmbëlson pelimin? Cila me aq vrull dhe dashuri do t’ia përshkruaj buzëqeshjen e hënës dhe lindjen e diellit? Cila do ta puth për mjeshtërinë e ekzekutimit, kush do t’ia hap dritaret, do t’ia jep uiskin me akull me një copë limoni… Kush do t’ia përshkruaj qiellin që flaket nga përqafimi i reve të arta, shpendët që fluturojnë kah jugu dhe ata fëmijë që lahen në liqen. Unë gjthnjë do të dëshiroja që ti saherë të jeshë pranë meje që ta shijoj ngrohtësinë dhe dufin tënd. Tani po e di se është e pamundur, le të vdesin edhe talenti im, edhe kryevepra ime, le të vdes edhe unë. Se jeta hiç s’po më dhimbset, ajo pa ty s’vlen pesë pare…”- Këto mërmëritje dhe belbëzime ia thoshte çdo kujt që kishte durim ta dëgjoj. Gati tërë ditën dhe natën e kalonte pranë verandës së vilës së saj… Edhe erën e djersës së trupit ia ndjente pas shkarravitjes nëpër shtrat, kur i kthehej bashkëshorti nga udhëtimi… Edhe erën e parfumit ia shijonte, kur parfumosej dhe bëhej gati për ndonjë aheng… E dinte edhe çfarë rroba do të vesh, çfarë këpucë, çfarë nënveshje… Ia ndiente edhe gërhamën kur flinte, e dinte në sa ora zgjohet, kur bën dush, si i lidh flokët gërshetë dhe me çfarë ngjyre të kordelës… Ia njihte shushurimën e fustanit kur lëshohej shkallëve, ia njihte edhe trokun e hapave, ia dallonte edhe timbërin e qeshjes po le të jenë i përzier me mijë të tjerë… Thjesht gjatë atyre muajve ai iu pat bërë shenjë mbrojtëse dhe hije përcjellëse. Bashkëshorti saj e shihte shpesh në kopsht dhe para dyerve, dhe i bënte pyetje asaj : “ Mos është ndonjë hajn, do t’na i plaçkisë stolitë?” – nuk e dinte ai, se brenda atyre leckave, brenda atij shpirti të paqetuar, fshihej gjeniu fatkeq, që kalëronte rreth vilës së tij si një bohem me ëndrra të dëshpruara, ndërsa ajo e tirte shikim në trupin e tij tanimë të kërrusur dhe i thoshte të shoqit: “ Nuk është i rrezikshëm, mund të jetë ndonjëri nga adhuruesit e mi, të çmendur…? Atij i mjafton një copë

Page 12: ABDURRAHMAN THAÇI - BALADA E LIQENIT

bukë dhe një pjatë gjellë, që ia servon shërbëtorja jonë”. -Ndodhte që para syve të tij ata të përqafohen dhe të miklohen, atëherë ai vinte në deregje të vdekjes, ulte kokën dhe lagte këmishën e ndyer me lotë të kulluar. Bashkëshorti i Artemidës ndahej nga përqafimi dhe i pohonte asaj : ” Po qanë i mjeri, ndoshta kurrë se ka përjetuar ngrohtësinë e përqafimit” - mandej fuste dorën në xhep dhe ia hudhte disa monedha nga lartë dhe i thoshte me një përçmim : ”Merri dhe shporru të mjaftojnë ti furrisësh disa birra të ftohta !” -Ai vetëm i dhuronte një shikim përbuzës dhe paksa të dhembshëm dhe ikte nga prania e tyre, por paratë si merrte… Në sytë e tij shihej një shkëndijë në votrën e shuar, derisa po endej rrugëve të qytetit që dikur aq shumë i deshti, saqë çdo rrugicë, çdo hapësirë mundohej ta mbuloj me tingujtë e violinës së tij. E pastaj planifikonte të gjitha ato rrugë ti shëtisë dorë për dore me Artemidën e tij të dashur… Nga kishte mundur të dijë ky, se ajo ishte e martuar, kurrë si kishte folur për bashkëshortin e saj, me pasuri të tundshme e të patundshme, me vilë në qytet, buzë liqenit e në bregdet… Ajo e çmendi dhe e magjepsi me dashuri, saqë iu bë mit i tij. Kur ishin së bashku ai mendonte se ishte i privilegjuar që dashuron një pianiste me renome, mu aty qëndronte edhe tragjika e dashurisë së tij.

Sezona turistike ishte në mbarim, shirat e vjeshtës nisën të shpeshtohen. Edhe në ato kohëra qyteti pitoresk s’e humbte bukurinë, bile poetët dhe piktorët shpeshë e më shpeshë shiheshin bregut të liqenit… Askush prej tyre s’çante kokën për Maestron që dikur e ngriste publikun në këmbë, kur pandërprerë ia shkrepnin blic-aparatet, fotoreporterët dhe gazetarët. Edhe tani ai nuk kalonte i pavërejtur para sytë e tyre, por vetëm si një endacak i rëndomtë që natën e kalonte nëpër parqet e qytetit. Ky ishte një konstatim i prerë i tyre…

Edhe dita vendimtare për Maestron, ishte e rëndomtë si të tjerat, binte një shi i imët, herë pas here i përcjellur me një diell të zbehtë. Në vilën e Artemidës si zakonisht dominonte ajo qetësi e përhershme. Ajo u ngrit në orën e caktuar, bëri dushin e përditshëm me flokët e mbledhura nën shami dhe me fustan të mëngjesit, pastaj ulet në tavolinën e vendosur në verandë… Derisa shërbëtorja t’ia sjellë kafenë e mëngjesit e shfleton

Page 13: ABDURRAHMAN THAÇI - BALADA E LIQENIT

gazetën ditore dhe iu merr erë luleve të freskëta. Pasi e pin kafen, ngritet dhe mbështetet mbi parmakë për t’u këndellur nga freskia mëngjesore. Është e pamundur që mos të ndeshet me Maestron që iu ishte bërë roje dhe pjesë e pandashme… Mirëpo atë ditë ndodhi një befasi... Ulësja ku ai zakonisht ulej dhe sodiste për çdo ditë, ishte e zbrazët… Pa u ndalur para pasqyrës, pa u lyer me losionin “Channel”, pa i shprishur e krehur flokët, pa u marrur me aerobik, shkoi e u ul pranë pianos. I theu gishtërinjtë, ashtu si veprojnë mjeshtrit e vërtetë, sapo u ul, habia iu dyfishua kur mbi kapakun e pianos pa një trëndafil mbi një pliko të mbyllur?… E mori dhe e hapi rrëmbimthi, e njohu bukurshkrimin e Maestros dhe filloi ta lexoj në zë: “ Unë më, kurrë nuk do të pengoj, as nuk do rë bezdisë, sepse kurrë më nuk do të shihemi… Atë që njëherë ta dhashë me aq bujari, ti e përbuze…Nuk e kam parandjehur se egoizmi mund të të bëj kaq të verbër e mizor… Vetëm një dua ta dish; se një jetë të tërë ma ke borxh!… Të shenjtë do të jemi një ditë… Maestro ”

E lexoi edhe një herë dhe prap zëri i doli i dridhur, i solli ndërmend të gjithë ato muaj që lozi me ndjenjat e tij, por në mendje vetëm me një qëllim të caktuar; se ndoshta ai do të ftohet dhe do t’i kthehet profesionit dhe jetës së tij prej artisti... Dy pika lotësh iu zdogjën faqeve, tundi kokën nga një rënqethje e ankthshme, bulëza djerse ia mbuluan ballin dhe ashtu e papërmbajtur për ta lehtësuar disi dhembjen, për ta sfiduar mungesën e tij i shtriu duart mbi tastierët e pianos dhe saora gishtërinjtë e saj të zhdërvjelltë rrëshqitën mbi taste, që përmendësh i dinin notat e “baladës së liqenit”. Në fillim tonaliteti i përshtatej mirë, më pastaj sikur ngadalësoi sepse mes zbrastësirave të tasteve të fildishta të pianos përbiroheshin edhe lotët e saj të akullt, që s’dilte kush që mund t’i ndalte… Pastaj shpejtoi ritmin e melodisë, duke i shtypur tastet deri në maksimum dhe me rrëmbim, me sa fuqi që kishte… E tërë lagjja dolën nëpër ballkone, moti kohë se kishin dëgjuar fqinjen e tyre t’i ketë rënë pianos… Moti kohë nuk kishin dëgjuar një melodi aq të dhembshme , aq therrëse, aq fascionuese, aq prekëse... Dridheshin zemrat nga dhembja, këputeshin edhe fletat bleroshe nga degët e lisave përballë… Edhe bashkëshorti i saj kishte zbritur nga kati i sipërm

Page 14: ABDURRAHMAN THAÇI - BALADA E LIQENIT

po e vështronte i ngunjuar në pragun e derës pa e pyetur gjë dhe pa i ndërhyrë fare… Me tingujt e pianos përzihej edhe refreni i zërit të saj tërbues që vazhdimisht po i përsëriste të njejtat fjalë: “ Të kam dashtë, të kam dashtë shumë edhe unë. O pëllumbi im i vockël! Të kam dashtë…! Të kam dashtë me tërë qenien dhe shpirtin tim, por nuk e gjeta edhe një derë më të vogël, që të të lejoj të hysh në botën time…” Derisa ajo ekzekutonte dhe belbëzonte si e marrë, jashtë filloi të bie një shi i rrëmbyeshëm i përcjellur me bubullimë dhe vetëtimë, Maestro që rrinte i mëshehur pas degëve të shpeshtuara të një bredhi u ngop, po edhe u trand nga tingujt e kryeveprës së tij… Fytyra iu zbeh, goja iu përtha, e kuptoi se ai ekzekutim ishte përshëndetja e fundit nga qenia e tij më e dashur në jetë… Nuk e hetonte as shiun që e bëri qull, as vetëtimën që ia merrte sytë. Nga kopshti doli në rrugën kryesore për të vazhduar pastaj me hapa të shpejtë në drejtim të aeroportit…

Njeri i gjallë s’shihej rrugëve të qytetit. Ai ishte Maestro i vetëm i atij nënqielli, fytyrën e zbehur edhe më tutje ia përndriste vetëtima, të ngjante në një mumie të gjallë që ecte në këmbë… Kur u largua në periferi të qytetit, tingujt që i prodhonte pianistja e tij e dashur më s’dëgjoheshin, atëherë iu qas vrapit, se mund t’i ikte aeroplani… Atyre çasteve iu kujtua një bisedë e shtruar me Artemidën, pak para ndarjes: “ Do të shpenzojmë nga koncertet dhe do ta rifillojmë jetën së bashku në qytetin e Bahut…”- I pat thënë asaj me një bindje të thellë…ajo pat pohuar me kokë edhepse nuk ishte e sigurtë.

Diku kah mesdita Maestro u përkul në sportelin e aeroportit; dominoi zëri i tij i heshtur:-“ Ju lutem zonjë, një buletë për në Vienë…” “ E doni kthyese zotëri?…” – “Jo, jo zonjë! Vetëm në një drejtim. Nuk do të kthehem kurrë më në këtë qytet, ku frymon ajo, ku zgërdhihet e më përqesh, kur dashuron kur t’i teket e me kend t’i teket… Kur puthet me afshin më të madh vetëm për inat timin… Kur…?!” – Sportelistja e ndërpret duke ia zgjatur biletën: “ Merreni…ngutuni se do t’iu ik aeroplani!” – ishte paksa e hutuar me veshjen dhe llafosjen e tij, mbase do të ketë menduar, se qenka një njeri i çmendur!...