Upload
others
View
170
Download
9
Embed Size (px)
Citation preview
UNIVERSITETI I GJAKOVËS “FEHMI AGANI”
FAKULTETI I FILOLOGJISË
DEPARTAMENTI I GJUHËS SHQIPE
PUNIM DIPLOME
DALLIMET DHE PËRAFRIMET FONETIKE E MORFOLOGJIKE
MES DIALEKTEVE TË SHQIPES
Mentori: Studentja:
Prof.ass.dr. Fridrik DULAJ Blerta BERISHA
Gjakovë, 2018
2
Përmbajtje
Abstrakti………………………………………………………………………………………..3
Hyrje………………………………………………………...…………………..…….……..…4
KAPITULLI I
1. Faktorët që ndikojnë në krijimin e ndarjeve dialektore…...……………………….…….....6
1.2.Ndarja e sotme dialektore 7……………………………………………………....…….…..7
KAPITULLI II
2. Dallimet mes dialekteve …………………………………………………………..….…..8
2.1. Dallimet kryesore fonetike në mes të gegërishtes dhe toskërishte…………………..………10
2.2. Rotacizmi……………………………………………………………………………..…...13
2.3. Monoftongimi…………………………………………………………………………..…15
KAPITULLI III
3. Përafrimet e dialekteve……………………………………………………………………..16
3.1. Përafrimet fonetike………………………………………………...……………….…….18
3.2. Përafrimet morfologjike……………………………………………………………....….21
3.2.1. Shquarsia e emrave të lakimit të dytë…………………………………………………..21
3.2.2. Format e pashtjelluara të foljes …………………………………………………….......22
3.2.3. Përemrat………………………………………………………………………..…….....24
KAPITULLI IV
Përfundimi…………………………………………………………………………….………28
Literatura………………………………………………………………………………...……30
3
Abstrakti
Me anë të këtij punimi do të paraqesim dallimet dhe përafrimet fonetike e morfologjike në
mes të dialekteve të gjuhës shqipe. Për shqyrtimin e kësaj teme janë përdorur hulumtimet e
dijetarëve të gjuhës, pra kemi shqyrtuar një literaturë të gjerë.
Këto dallime dhe përafrime janë analizuar përmes shembujve të ndryshëm prej të cilëve
janë nxjerrë këto dukuri dhe të cilat tregojnë më saktësisht dallimet dhe përafrimet që kanë
dialektet e gjuhës shqipe.
Nga hulumtimet e bëra kemi ardhur në përfundim se pothuajse për secilin dallim, dalin
edhe përafrimet mes dialekteve.
Fjalët kyçe: dialektet, dallimet, përafrimet, fonetike, morfologjike.
4
Hyrje
Popuj të ndryshëm, në një shkallë të caktuar të zhvillimit të tyre historik, në kohën e
ndërtimit të marrëdhënieve ekonomike e shoqërore, që karakterizojnë një shkallë të lartë të
organizimit politik e kulturor, kanë ndier nevojën për të krijuar një formë të veçantë të gjuhës
kombëtare, e cila të përdorej në shumë sfera të jetës si mjeti më i përhapur i komunikimit të
kulturuar – në fushën e letërsisë, të dijes përgjithësisht e në jetën politiko-shoqërore. Këtë formë
të gjuhës e kanë emërtuar gjuhë letrare, por të njohur edhe me terma të tjerë siç janë: gjuhë e
kulturës, gjuhë e përgjithshme, gjuhë kombëtare, e që në ditët e sotme njihet më shumë si gjuhë
standarde1.
Kjo që ne po e quajmë gjuhë standarde është produkt i dalë nga të folmet e përafërta të
krahinave të ndryshme të një vendi që në gjuhësi i quajmë dialekte. Dialekti nuk ka dallime të
mëdha nga gjuha: secili dialekt marrë në vetvete mund të quhet gjuhë, ai është një sistem
komunikimi i kryer dhe i pavarur, edhe pse ka një numër më të kufizuar përdoruesish. Vetë gjuha
letrare kombëtare është veç një dialekt që është favorizuar dhe është ngritur në përdorim nga i
gjithë kombi. Dialekti ka një shtrirje më të ngushtë dhe përbën zërin e një bote a të një kulture të
kufizuar: në familje, në fshat, në krahinë2.
Njohja dhe studimi i thellë i dialekteve të një gjuhe janë themelore për studimet gjuhësore si: për
fonetikën, morfologjinë, sintaksën dhe, pa dyshim, për semasiologjinë dhe frazeologjinë e gjuhës. E me
rëndësi të veçantë për historinë e saj. Siç thoshte edhe gjuhëtari i njohur frëng Antuan Meje (Antoine
Meillet) “nuk ka histori gjuhe pa dialektologji dhe sidomos pa gjerografinë gjuhësore komplete dhe të
zbatuar mirë”3. Të dhënat e dialekteve na japin një pamje të të folmeve apo të dialekteve nëpërmjet të folurit
të rrjedhshëm e të gjallë, ashtu siç rron në gojën e informatorëve të thjeshtë, pa ndonjë përpunim, sikurse e
gjejmë në veprat e shkrimtarëve që i përmbahen një tradite të caktuar shkrimore. Dijetari i shquar frëng
Sharl Nodie (Charles Nodier) konsideronte të folmet apo ligjërimet popullore si gjuhë të gjalla e të
zhveshura të popullit, ndërsa të folurit “bukur”(standard)- thoshte ai- s′është tjetër veçse një shëmbëlltyrë e
tyre apo një “manikin”; njeriu që nuk ka studiuar të folmet e gjuhës së vet di vetëm gjysmën e
gjuhës4.
1 Bajçinca.I, Shqipja standarde dhe problemet rreth saj, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2016, fq.27. 2 Gjinari, J., Shkurtaj, Gj., Dialektologjia, SHLBU, Tiranë 2000, f.21. 3 Po aty, fq. 11. 4 Po aty, fq. 12.
5
J. Gjinari dhe Gj. Shkurtaj duke vlerësuar punën e dialektologëve theksojnë: “kushdo që
merret me gjuhësi, në cilëndo degë të saj, nuk mund të mos admirojë punën e palodhur të
dialektologëve që, për ditë, javë e muaj të tërë, lënë zyrat apo kabinetet e tyre të punës në qytete
dhe shtrohen këmbëkryq në trevat e largëta, në krahina e katunde të të gjithë vendit, rrinë në
shoqëri të folësve natyrorë e të pandikuar nga gjuha e librave, duke qëmtuar e gjetur të folme e
ligjërime sa më burimore e të panjohura, por edhe të pashkruara”5.
Studimi i dialekteve në rrjedhë të viteve ka ardhur gjithnjë duke u bërë më kompleks e
njëherazi edhe më i vlefshëm, krahas studimit të gjuhës letrare standarde që, ndërkaq, edhe ajo ka
në bazë një dialekt të një krahine të caktuar6.
Asnjë progres cilësor i teorisë gjuhësore nuk është bërë dhe nuk mund të bëhet pa u
mbështetur fort në kërkimet dhe hulumtimet e imëta dialektologjike apo pa përfillur në shkallën e
duhur faktet dialektore e me një metodë përherë e më të rafinuar kërkimi.
Zhvillimi i sotëm i të folmeve popullore dhe përgjithësisht i dialekteve të shqipes nuk mund
të shihet i shkëputur nga rrjedhat e zhvillimit dhe kaheve të përgjithshme, kulturore dhe mendore
të bashkësisë shoqërore shqiptare shtetërore e më gjerë. Në mënyrë të veçantë ka luajtur rol
arsimimi masiv, shtimi i peshës së mjeteve të informimit masiv (shtypit, radio-televizionit) dhe i
lirisë së fjalës publike7.
Ndikimi i gjuhës letrare ndihet në të folurit e përditshëm, i cili pëson ndryshime të
vazhdueshme, duke u afruar me gjuhën letrare. Proceset e vjetërimit (arkaizmit) dhe të përtëritjes
(rinovimit) të leksikut, por edhe më gjerë të zhvillimeve e shtresëzimeve gjuhësore, nëpër të folmet
e krahinave të ndryshme shqiptare në ditët tona shënojnë ngritjen më të lartë. Drejtimi i
përgjithshëm i ndryshimeve dialektore që vihet re në të folmet brenda trojeve shqiptare, është sot
afrimi me gjuhën letrare. Në përcaktimin e këtij drejtimi çojnë peshë dy faktorë madhorë: së pari,
gjuha letrare shqipe e kohës sonë mishëron në vetvete shfaqjen më të qartë të prirjeve kryesore të
zhvillimit të gjuhës shqipe në përgjithësi; së dyti, sepse ndikimi i gjuhës letrare mbi dialektet e të
folmet përçohet jo vetëm nëpërmjet shkollës e përgjithësisht arsimimit, por edhe nëpërmjet tërë
veprimtarisë së përditshme politike, ekonomike, kulturore e administrative8.
5 Po aty, fq.11. 6 Po aty, fq.12. 7 Shkurtaj, Gj., Sociolinguistikë e shqipes, SHB Morava, Tiranë, 2009, fq.162. 8 Po aty, fq.163-164-165.
6
KAPITULLI I
1. Faktorët që ndikojnë në krijimin e ndarjeve dialektore
Në studime të ndryshme dialektologjike është vënë re se ndarja e territoreve sipas
rrethanave të ndryshme ka lënë gjurmë në krijimin e ndarjeve dialektore.
Një dallim dialektor sipas besimit fetar, në mes banorëve të besimit katolik dhe atyre të besimit
myslimanë, e kishte vërejtur Bahri Beci në qytetin e Shkodrës, ku rezulton të ketë dy sisteme
fonologjike të dallueshme, kufiri midis të cilëve kalon pikërisht në rrugën kryesore (rruga e Gjanë
apo Pjaca) që ndante pjesën katolike nga ajo myslimane9.
Një rol të madh në përcaktimin e kufijve dialektorë, luajnë faktorët jashtëgjuhësor, midis
të cilëve mund të përmendim sidomos: ndërgjegjjen e folësit, që orientohet gjithnjë mjaft qartë
drejt një tipi dialektor që e quan “të vetin” dhe që mënjanon me përçmim atë që nuk e quan “të
vetin”, por “të tjetërkujt”.
Duke iu drejtuar një skeme të Ugo Moseri-t për ndarjet dialektore të gjuhës kemi këto
shkaqe:
A. Vendbanimi dhe komunikimi:
I. Shkaqet gjeografiko-historike:
Kufijtë gjeografikë shpesh kanë edhe vlerë të tërthortë politike, sepse përputhen
me ndarjet politike.
Kufijtë kishtarë, fetarë në përgjithësi.
Kufijtë krahinorë, etnikë, administrative etj.
II. Shkaqet më të reja:
Ndikimi ekonomik (rrugët tregtare, pazaret, panairet etj.).
Ndikimi i qyteteve (afërsia apo largësia prej qendrave qytetare).
Ndikimi i gjuhës letrare.
B. Grupet speciale:
Shpirti dhe ndërgjegjja gjuhësore e bashkësisë përkatëse.
Shkëmbimet gjuhësore në grup e midis grupeve (çfarë dhe kush imitohet?)10.
9 Gjinari, J., Shkurtaj, Gj., Dialektologjia, SHLBU, Tiranë 2000, f. 19. 10 Po aty, fq. 21.
7
Marrë në konsideratë teorinë gjuhësore të ndarjes dialektore, sot mund të vijmë në një
përfundim se ndarja e dikurshme po e humb kuptimin e ndarjes dialektore dhe si rrjedhojë edhe
studimet dialektologjike po kalojnë në studime sociolinguistike.
1.1. Ndarja e sotme dialektore
Gjuha shqipe flitet në një territor që shtrihet nga rrethinat e Novi-Pazarit në Veri, e deri në
Prevezë (Greqi) në Jug, nga deti Adriatik në Perëndim, e deri në afërsi të Shkupit në Lindje. Këtu
bëjnë pjesë Shqipëria, Kosova, Serbia Jugore e sotme (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), pjesa
jugperëndimore e Malit të Zi të sotëm (Ulqini me rrethina, Kraja, Vranja, Tuzi, Malësia e
Podgoricës, Plava), Maqedonia Perëndimore e sotme (Stugë, Ohër, Dibër, Kërçovë, Prilep, Tetovë,
Gostivar, Shkup, Kumanovë) dhe Çamëria në Greqinë Veriperëndimore të sotme deri në gjirin e
Prevezës (gjithësej 55.000 km2). Por, shqipja flitet edhe jashtë këtyre territoreve. Do të veçojmë
këtu të folmet e arbëreshëvë te Italisë, të Greqisë, të Bullgarisë, të Ukrahinës e të Zarës11.
Gjuha shqipe ka dy dialekte, secili dialekt ka nëndialekte me grupe të folmesh të shkallëve
të ndryshme.
Dialekti i Veriut apo gegërishtja përfshinë të folmet që fliten në territorin e Republikës së
Shqipërisë Veriore, të folmet shqipe që fliten në pjesën jugperëndimore të Malit të Zi, në Kosovë,
në Serbinë Jugore të sotme dhe në Maqedoninë Perëndimore të sotme12.
Gegërishtja ka katër grupe më të vogla dialektore, të tilla janë: gegërishtja veriperendimore,
gegërishtja verilindore, gegërishtja qendrore dhe gegërishtja e Shqipërisë se Mesme.
Dialekti i Jugut përfshinë të folmet që fliten në territorin e Republikës së Shqipërisë Jugore, të
folmet e Çamërisë në Greqi dhe ato që shtrihen midis liqenit të Ohrit e Prespës në Maqedoninë e
sotme13.
Këtu dallohen vetëm dy njësi apo grupe të mëdha të folmesh të cilat i përkasin nëndialektit jugor
të tij që janë: labërishtja dhe çamërishtja.
11 Beci, B., Dialektet e shqipes dhe historia e formimit të tyre, Dituria, Tiranë, 2002, fq.14. 12 Po aty, fq. 14. 13 Po aty, fq. 18.
8
KAPITULLI II
2. Dallimet mes dialekteve
Sipas hulumtimeve të dialektologëve tanë, dallimet kryesore të dy dialekteve të shqipes
janë rreth 13%, por, ndoshta, edhe më shumë. Dukuritë më të përgjithshme janë: hundorësia e
gjatësia e zanoreve, rotacizmi, alternimet â ë, e ë, ue ua, nj j, grupet e bashkëtingëlloreve,
paskajorja (standard: për t’u larë) etj. Dukuri më të ngushta, thuajse krahinore janë: alternimet
a o (vatër-votër), y i (sy- si), kl-gl k-g q-gj (klumësht – qumësht, gluha- guha- gjuha), i aj
(shtëpi – shpaj) etj. Pastaj kemi dukuritë kategoriale (siç janë disa nga ato më të përgjithshmet)
dhe dukuritë jokategoriale (siç janë disa nga ato krahinore)14.
Alternimi â ë është dukuri kategoriale, sepse ndodh në pozicione të â-së para
bashkëtingëlloreve hundore, thyerja e saj në standard bëhet me njësi të veçuara (e ëma, por amtare;
zë, por zanore)15.
Nga alternimi e ë para hundoreve ka fituar varianti me -e (vend dhe jo vënd)16.
Alternimi ua ue është dukuri kategoriale, sepse –ua përfshinë gjithë pjesoret e foljeve më
zanore dhe mbiemrat prejpjesorë prej tyre (dëgjuar- i dëgjuar), kurse –ue gjithë mbiemrat e emrat
e vepruesit ose mbiemrat më –shëm (hartues – lexues – i kuptueshëm), që vijnë nga tema e kësaj
pjesoreje; thyerja e saj në standard është qartësisht kategoriale d.m.th pjesorja e mbiemrat
prejpjesorë me –ua, ndërsa, emrat e mbiemrat me –ue17.
Alternimi nj j është dukuri kategoriale dhe ka thyerje në standard p.sh (te foljet – j: shkoj,
tek emrat –nj: ullinj)18.
Paskajorja e gegërishtes nuk është përfshirë në standard, sepse cenon sistemin e ndërlikon
strukturat foljore e mbiemërore (me punue- për të punuar për të punue- kam punuar- i punuar)19.
Historia e trajtimit të tipareve dalluese të dy dialekteve të shqipes, gegërishtes në Veri dhe
toskërishtes në Jug, është po aq e vjetër sa edhe vetë historia e dialektologjisë shqiptare. Në qoftë
14 Grup autorësh, Kultura e gjuhës 2, Shoqata e Gjuhës Shqipe Kosovë, Prishtinë, 2013, fq. 28-29. 15 Po aty, fq. 29. 16 Po aty, fq. 29. 17 Po aty, fq. 29. 18 Po aty, fq. 29. 19 Po aty, fq. 29.
9
se historia e dialektologjisë shqiptare zë fill me vepren e J.G.Hahnit “Studime shqiptare” të vitit
1853, historia e studimit të tipareve dalluese të dialekteve të shqipes zë fill me kapitullin “Këmbimi
i tingujve” të po kësaj vepre20.
20 Beci, B., Dialektet e shqipes dhe historia e formimit të tyre, Dituria, Tiranë, 2002, fq. 21.
10
2.1. Dallimet kryesore fonetike në mes të gegërishtes dhe toskërishtes
Nga studimi i B. Becit, duke iu referuar edhe studiuesve të tjerë të fonetikës historike
dallimet kryesore fonetike mes dy dialekteve të gjuhës shqipe janë:
1. Prania ose ruajtja më e mirë e zanoreve të gjata në dialektin e Veriut21.
p.sh. je:t, pu:n etj.
2. Prania e zanoreve hundore në dialektin e Veriut dhe mungesa e tyre në dialektin e Jugut22.
p.sh. brîni-briri, râna-rëra etj.
3. Prania e zanores ë në dialektin e Jugut, të cilës në dialektin e Veriut i përgjigjet â-ja
hundore23.
p.sh. lâ-lë, nâna- nëna etj.
4. Prania e grupeve të zanoreve ua, ye, ie në dialektin e Jugut dhe reduktimi i tyre në u(ue),
y, i në dialektin e Veriut24.
p.sh. gru- grue-grua, ly- lye-lyer, etj.
5. Prania e grupit nistor vo- në dialektin e Veriut, që në atë të Jugut del va-25.
p.sh. voter-vater, vorr-varr etj.
6. Prania e dukurisë së rotacizmit në dialektin e Jugut dhe mungesa e saj në dialektin e
Veriut26.
p.sh. zâni- zëri, frêni-freri etj.
7. Prania e paskajores së tipit me punue në dialektin e Veriut dhe mungesa e saj në dialektin
e Jugut27.
p. sh. për me punue- për të punuar.
8. Kalimi i grupeve të bashktingëlloreve mb, nd, respektivisht në n, m në dialektin e Veriut
dhe ruajtja e tyre në dialektin e Jugut28.
p.sh. mbush-mush, nder-ner, etj.
21 Po aty, fq. 22. 22 Po aty, fq. 22. 23 Po aty, fq. 22. 24 Po aty, fq. 22 25 Po aty, fq. 22. 26 Po aty, fq. 22 27 Po aty, fq. 22. 28 Po aty, fq. 22.
11
9. Ruajtja e h-së fundore në dialektin e Jugut dhe kalimi i saj në f, sidomos në pozicion fundor,
në dialektin e Veriut29.
p. sh. i ftohtë- i ftoft,
10. Kalimi i bashkëtingëllores nj në j në dialektin e Veriut dhe ruajtja e nj-së në dialektin e
Jugut30.
p. sh. laj- lanj, thoj- thonj etj.
11. Zhdukja ose reduktimi i shpeshtë i zanores së patheksuar ë në dialektin e Jugut31.
p. sh. bukë, jetë etj.
12. Shurdhimi i bashkëtingëlloreve të zëshme në fund të fjalës në dialektin e Jugut dhe ruajtja
e tyre në dialektin e Veriut32.
p.sh. elp-elb, vent-vendetj.
13. Formimi i së ardhmes së mënyrës dëftore me anë të foljes ndihmëse kam + paskajoren në
dialektin e Veriut, kurse me anë të pjesëzës do dhe kohës së tashme të lidhores në dialektin
e Jugut33.
P.sh. kam me punue – do të punojë, kam me shkrue- do të shkruaj etj.
Edhe pse numëruam dallimet mes dialekteve të shqipes në njërën anë, në anën tjetër, mes tyre na
dalin zhvillimet drejt përafrimit të tyre, ndër të cilat kemi:
Dita e ditës është duke u shtuar përdorimi i mënyrës lidhore në ato funksione që në të
folmet gege zakonisht përdorej paskajorja e tipit me + pjesore. P.sh. në vend të: vendosem
me shty, përdoret: vendosem që ta shtyjm; u mendua që ta ndryshojm; do të përpiqemi ta
realizojm etj34.
Përdorimi i grupeve të bashkëtingëlloreve mb e nd në ditët e sotme është i dukshëm edhe
në dialektin e Veriut, fjala ndërroj përdoret edhe nga një pjesë e gegëve në po këtë formë
dhe jo nroj sikurse është përdorur në një masë më të madhe deri në ditët e sotme. Por,
duhet të them se jam dëshmitare e rasteve kur kjo formë, pra, fjala nroj përdoret ende dhe
madje edhe nga brezat e rinjë dhe mund të them së në të gjitha rastet është përdorur nga
29 Po aty, fq. 22. 30 Po aty, fq. 22. 31 Po aty, fq. 22. 32 Po aty, fq. 22. 33 Po aty, fq. 22. 34 Shkurtaj, Gj.,Sociolinguistikë e shqipes, SHB Morava, Tiranë, 2009, fq. 166-167.
12
folësit që i përkasin besimit katolik. Sot pothuajse i gjithë brezi i ri fjalën nder e shqipton
kështu sikurse është në toskërishte dhe në standard dhe jo ner që është variant i gegërishtes
edhe pse është fakt se vazhdon ende të përdoret e sidomos nga brezi më i vjetër.
Megjithatë, fakti që fjalët që kanë në përbërjen e tyre fonematike këto grupe të
bashkëtingëlloreve po shqiptohen deri në një masë në mënyrë të drejtë, dëshmon në
përafrimin e dialekteve të gjuhës shqipe.
Trajtat e të pakryerës së dëftorës të formuara me mbaresen –nj në dialektin e Jugut po
vijnë duke u përafruar me përdorimin e shqipes standarde. Gjithashtu edhe trajtat e
parkryera të dëftorës së gegërishtes të formuara me mbaresen –sha, she etj., janë duke
ndjekur të njëjtën rrugë të zhvillimit drejt standardizimit. Kjo e fundit ka prirje të zhvillimit
sidomos te brezi i ri.
Shenja të tilla të ndikimit të gjuhës letrare, ku më pak e ku më shumë, janë të pranishme
në mbarë të folmet e gjuhës shqipe. Megjithatë, me gjithë ndikimin intensiv të gjuhës letrare nuk
ndodhë zëvendësimi i thjeshtë i sistemit dialektorë me sistemin e gjuhës letrare zyrtare. Procesi i
zhvillimit gjuhësor dhe i kalimit nga një situatë kryesisht dialektore në një tjetër me një pamje më
fort letrare, mbetet gjithsesi një proces afatgjatë dhe që ndjek rregullsitë e veta35.
35 Shkurtaj, Gj., Sociolinguistikë e shqipes, SHB Morava, Tiranë, 2009, fq. 167.
13
2.2. Rotacizmi
Rotacizmi është tipar i parë dallues në mes toskërishtes e gegërishtes. Është një tipar
dallues dialektor që ka të bëjë me këmbimin e n-së ndërzanore të gegërishtes me drridhësen r të
toskërishtes. Kjo është një dukuri fonetike që e hasim në sistemin emërorë dhe foljor36.
p.sh. Gegërisht Toskërisht
ullini ulliri
dreni dreri
hyna hyra
vuna vura
Përafrim- kjo dukuri ka filluar të shfaqet edhe në dialektin e Veriut edhe pse në raste më
të rralla. P.sh. fjala ullini dëgjohet edhe si e variantit të toskërishtes ulliri. Megjithatë gjatë një
hulumtimi që kam bërë, pyetjes: si i thonë atyre kokërrave të vogla me ngjyrë të zezë e jeshile që
na servojnë me pica?, i janë përgjigjur 10 persona prej të cilëve vetëm njëri ka përdorur rotacizmin.
Nga kjo rezulton se përafrimi është në shkallë të vogël, por e rëndësishme është që kjo të zhvillohet
më tutje.
Te disa fjalë n-ja ndërzanore nuk është ndërruar me r-në, si p.sh. tek emrat puna, hëna, ana,
unaza etj. Kjo dukuri e jorotacizmit shpjegohet me faktin se dikur n-ja nuk ka qenë intervokalike
(ndërzanore), por ka pasur edhe bashkëtingëllore tjetër afër saj. Kështu, p.sh., fjalët e huazuara nga
latinishtja cannata- kënatë37.
Disa nga studiuesit që janë marrë me këtë dukuri dialektore të shqipes shohin një lidhje
ndërmjet dukurisë së rotacizmit dhe mungesës së zanoreve hundore në dialektin e Jugut. Sipas tyre
rotacizmi është shfaqur në dialektin e Jugut pas hundorësisë së zanoreve duke u bërë kështu shkaku
fillestar i çhunodrëzimit të zanoreve në toskërishte.
Edhe Sh. Demiraj, duke folur për dukurinë e rotacizmit në toskërishte ka vënë në dukje që
kjo dukuri është shfaqur kryesisht në fjalët e trashëguara, si dhe në huazimet nga greqishtja e vjetër
dhe nga latinishtja dhe sjell shembuj si këto:
36 Nushi, M., Gjuha e sotme shqipe I, Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore i Kosovës, Prishtinë, 2003, fq. 41. 37 Po aty, fq. 41
14
a) Venë-verë, emën-emër, dimën-dimër, zani-zëri, vuna-vure, zuna-zure etj;
b) Lakën-lakër, mokën-mokër, pjepën-pjepër etj;
c) Ranë- rërë ˂lat. arena, zanë-zërë ˂ Diana, femën- femër ˂ femina etj.
Ai thotë se, procesi i rotacizmit ka nisur pasi kishte filluar procesi i evulucionit të /â/-së
theksuar në ë para një bashkëtingëlloreje hundore, edhe pse ky proces fonetik, në përgjithësi ka
pushuar së vepruari para depërtimit të sllavizmave në gjuhën shqipe.
15
2.3. Monoftongimi
Ndarja dhe përafrimi i dialekteve të shqipes nuk mund të mendohen pa diftogjet dhe
monoftongimin e tyre. Përderisa diftongjet –ua dhe –ue ndajnë te folmet e Jugut dhe Veriut, në një
pjesë të gegërishtes është zhvilluar edhe procesi i monoftongimit të tyre, gjë e cila ka ndikuar edhe
në ngadalësimin, apo vështirësimin e përafrimit të dialekteve të shqipes.
Në disa të folme të shqipes diftongjet mund të jenë të mbledhura në monoftongje p. sh.: me
na pshtu, qysh me shku, me punu, me kujtu, me u msu etj.
Duke ju referuar studimeve rreth të folmeve të shqipes, në literaturë kemi gjetur raste të
ruajtjes së diftongut ue- digom ti mue, jam hutue, kam fitue, (mbi dëshminë e disa thërrimeve
leksikore, mendojmë se diftongu -ue është rujtur i paprekur)38.
Në truallin e përfillur dialektor procesi i monoftongimit është në fazën e shthurjes, në disa
vise të këtij trualli, sidomos në anët malore të tij, monoftongimi mbizotëron mbi të gjitha prirjet e
tjera, kurse krahu malor i Krahinës së Kosovës po i përballon gjithnjë tkurrjet dhe mbledhjet e
diftongjeve dhe të bashkëlidhjeve të tjera zanore39.
Te diftongu i zanoreve shkalla e monoftongimit nuk është e njëjtë për të gjitha diftongjet,
p.sh. te diftongu ua përkatësisht të fjalët: duar, thuaj, bluaj, shkruaj etj.,nuk mund të dëgjohen
elemente të zanores së dytë, d.m.th. procesi i monoftongimit ka përfunduar në zanoren e parë.
Ndërsa, të diftongu ye përkatësisht te fjalët: dyer, lyej, shkyej etj., procesi i monoftongimit
ndonëse ka filluar nuk ka përfunduar plotësisht që do të thotë se dëgjohen elemente të zanores së
dytë.
Shënim: Shkalla e monoftongimit mund të përcaktohej më saktë po të bëhej një analizë e fonetikës
eksperimentale më programin PRAAT.
38 Grup autorësh, Studime gjuhësore I, Instituti albanologjik i Prishtinës, 1978, fq. 13 39 Po aty, fq. 14.
16
KAPITULLI III
3. Përafrimet e dialekteve
Baza e gjuhës letrare shqipe është e ndërtuar kryesisht nga tiparet fonetike e morfologjike
të dialektit të Jugut, por kjo nuk do të thotë që në gjuhën letrare shqipe nuk ka elemente të dialektit
të Veriut, madje të shumta janë ato në sistemin leksikor duke mos përjashtuar edhe elementet nga
sistemi fonetik e ai morfologjik.
Sot dialektet nuk funksionojnë në mënyrë të veçuar e të mbyllur brenda territorit në të cilin
shtrihen. Lëvizjet dhe marrëdhëniet që janë shtuar shumë ndërmjet krahinave të afërta, por edhe
ndërmjet krahinave dhe qendrës, bëjnë që dialektet të dalin nga kufijtë e tyre krahinorë e të takohen
me njëri-tjetrin në mënyrë të ndjeshme. Rëndësi të veçantë ka takimi i tyre me gjuhën letrare
kombëtare. Ky takim është i përditshëm dhe ndodh kudo në tërë territorin e kombit dhe si rrjedhim
dialektethumbin tiparet e veçanta dialektore duke marrë tiparet e përbashkëta letrare40.
Kështu, në gjuhën tonë ka shumë tipare që janë të njëjta në të dy dialektet si nga përmbajtja
ashtu edhe nga forma.
Disa prej tyre janë:
Kundërvënia e bashkëtingëlloreve k-g (ekziston- egziston);
Kundërvënia e emrave të shquar e të pashquar, që kudo shprehet me anë të mbaresës
shquese (lis-lisi);
Forma e habitores e cila kudo formohet nga pjesorja e një foljeje dhe nga folja ndihmëse
kam (lidhkam)41.
Ka edhe tipare që janë të përbashkëta nga ana e përmbajtjes dhe të dallueshme për nga forma.
P.sh
1. Fonemat zanore gojore të shkurtëra: a, o, e gjenden kudo nëpër të folmet e shqipes, por në
disa të folme e-ja del edhe me variantin fonetik e (e hapur), p.sh vetlla-vetulla;
40 Gjinari, J., Shkurtaj, Gj., Dialektologjia, SHLBU, Tiranë 2000, f. 198. 41 Po aty, fq. 199.
17
2. O-ja diku del me variantin fonetik (zanore e prapme jobuzore, zanore e afërt me o-në), p.sh
kˆs – kos etj.;
3. A-ja në disa të folme del me variantin æ (a e perparme e mbyllur), p.sh. præp – prapë42.
Pastaj në morfologji si shembull mund të marrim formën e së ardhmes me pjesëzën do
+lidhoren (do të shkruaj) kjo formë gjendet në të gjitha të folmet e shqipes, pavarësisht nga
diferencat e përdorimit në këto të folme dhe nga variantet fonetike me të cilat del duke ndryshuar
nga dialekti në dialekt (do të punoj, të punoj)43.
Ka tipare të cilat gjuha letrare i ka marrë nga dialektet duke i ngritur në normë. Këto tipare
janë thelbësore pasiqë lidhen me sistemin e fonemave dhe me strukturën gramatikore të tyre.
Gjuha letrare shqipe, si një sistem gjuhësorë që është, është ngritur mbi dialektet duke
marrë së pari nga to, elementet pothuajse krejtësisht të përbashkëta të tyre. Pasi kjo gjuhë është
formuar, veprimi i saj ka kaluar mbi dialektet për t’i afruar ato mes veti.
Elementet e përbashkëta
Gegërishtja Toskërishtja Gjuha letrare
1. Seria e zanoreve gojore
2. Pavarësisht se ka mungesa të vogla të ndonjë zanoreje në njërin nga dialektet, siç
mungon ë-ja e theksuar në dialektin verior, e përbashkëta e tyre del se formojnë një
sistem trekëndësh dhe hyjnë në të njëjtat korrelacione: në korrelacionin e lokalizimit
(të përparme – të prapme) dhe në korrelacionin e shkallës së hapjes (të mbyllura – të
hapura):
i (y) u
e (ë) o
a44
42 Po aty, f. 200. 43 Po aty, fq. 200. 44 Po aty, fq. 202-203.
18
Shënim: Gjuha letrare përveq elementeve të përbashkëta që ka marrë nga dialektet, ka
elemente të cilat i ka lënë mënjanë, ndër të cilat: serinë e zanoreve hundore të gegërishtes e
serinë e zanoreve gojore të gjata të gegërishtes e toskërishtes jugore.Mbajtja e zanorës ë të
patheksuar në fund të fjalës është element që e zhdukë homofoninë mes emrave të gjinive të
kundërta (plakë-plak), shumësit nga forma e njëjësit (shok-shokë) etj. Por, ka edhe raste kur
nuk mund të zhduket homofonia si p.sh., forma e foljes ha për tri vetat e numrit njëjës të kohës
së tashme (në geg. I, II, III ha)45.
3.1. Përafrimet fonetike
Hundorësia-është një nga problemet më të shpeshta që përcjellë të folurit e folësve të
dialektit gegë. Në disa të folme të dialektit verior e sidomos në të folmet e gegërishtes verilindore
(territori i Kosovës), â-ja hundore shprehet ndonjëherë me o-në gojore46. Por, kësaj â-je i përgjigjet
ë-ja e theksuar në toskërishte e në shqipen standarde.
p.sh.
Gegërisht Toskërisht/Gjuhë letrare
bâj- boj bëjë
âsht - osht është
thân - thon thënë
un (u e gjatë) unë
hini (i e gjatë) hyri
Fjala bâj e cila përdoret dendur në dialektin verior, në disa të folme përdoret boj (p.sh. në
të folmen e Gjakovës), dhe kjo fjalë përafrohet apo synon të afrohet me variantin përkatës të gjuhës
letrare “bëj” në rastet e përdorimit më të shpeshtë të gjuhës letrare nga folësit e gjuhës shqipe. Kjo
tendencë e përafrimit vërehet më shumë te brezi i ri, i cili jo rrallëherë është nën ndikimin e
“flukseve të padukshme” (televizionit, radios, internetit, shtypit etj.).
45 Gjinari, J., Shkurtaj, Gj., Dialektologjia, SHLBU, Tiranë 2000, f. 203 46 Grup autorësh, Studime gjuhësore I, Instituti albanologjik i Prishtinës, 1978, fq. 9
19
Shënim: Zanoret hundore, në të shkruar janë eleminuar tërësisht. Por, pavarësisht këtij
fakti, ato vazhdojnë të përdoren në të folur aq shumë sa që në asnjë rast nuk janë zëvendësuar,
p.sh. zanorja ë e toskërishtes, që del e barasvlefshme me â-në hundore të gegërishtes dhe nazalen
ê, si në rastet ktê për këtë, pastaj, përdorimi i hundores î nga folësit e gegërishtes në vend të ë-së
p.sh. ni - një, nimi-njëmi, niqind-njëqind, ni herë-njëherë.
Gjatësia e zanoreve- është karakteristike për dialektin gegë, mirëpo ajo është ruajtur edhe
te disa krahina që bëjnë pjesë në dialektin e Jugut, si te labët, çamët, arbëreshët e Italisë etj47.
Emri ari (metal i çmuar, i-a është e shkurtër), ndërsa ari-u (kafshë e egër, i-ja është e gjatë);
Emri plak (gjinia mashkullore, a-ja është e shkurtër), ndërsa plakë (gjinia femërore, a-ja
është e gjatë);
Numërori dy (gjinia mashkullore, y-ja është e shkurtër), ndërsa dy (gjinia femërore, y-ja
është e gjatë).
Shënim: Gjatësia e zanoreve varet nga faktorë të ndryshëm, ndër të cilët mund të
përmendim shpejtësinë e të folurit, theksin etj. Sa më e madhe të jetë shpejtësia e të folurit aq më
e vogël do të jetë gjatësia e tingujve të veçantë dhe e kundërta48.
Duke u nisur nga ky fakt, mund të themi se kjo edhe është arsyeja se pse folësit e dialektit toskë
kanë një të folur më të shpejtë dhe me theks dukshëm më të ndryshëm nga folësit e dialektit gegë
të cilët për shkak të gjatësisë së zanoreve kanë të folur më të ngadalëshëm.
Dridhëset - bashkëtingëlloret dridhëse r dhe rr janë fonema të cilat gjatë shqiptimit të tyre
dallojnë nga njëra-tjetra nga numri i dridhjeve të gjuhës. Kështu, r-ja nyjëtohet me 1-2 dridhje,
kurse rr-ja me 3-4 dridhje. Megjithatë, ky numër i dridhjeve mund të ndryshojë në varësi nga fakti
se kush folës e shqipton atë, në çfarë rrethanash apo thënë përgjithësisht cilës të folme i përket ai.
p.sh. Gjuhë letrare - rrota,
- buron
E folmja e Pejës me rrethinë - rrota (në shqiptim do të vërehet se fonema rr është shumë
më e theksuar sesa në të folmet tjera apo në standard);
- burron (pothuajse të gjitha fjalët që kanë në përbërjen e tyre fonematike tingullin r, në këtë të
folme shqiptohet si rr).
47 Nushi, M., Gjuha e sotme shqipe I, Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore i Kosovës, Prishtinë, 2003, fq. 25. 48 Dodi, A., Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2004.
20
Shënim: në këto të folme ku r-ja shqiptohet si rr, numri i dridhjeve të gjuhës gjatë
artikulimit të tigullit është më i madh se sa numri normal i dridhjeve që e cekëm më lartë.
Në rast të përpjekjes së zbatimit të normave drejtshqiptimore të gjuhës letrare, folësit e
rajonit në fjalë, por, edhe të rajoneve të tjera, siç është qyteti i Prishtinës që poashtu e ka të njëjtin
element a veçori t’a quajmë më mirë, do të mund të përafronin të folmen e tyre me gjuhën letrare.
Afrikatet Qiellëzoret
ç q
xh gj
Këto çifte të bashkëtingëlloreve, ajo çka i bënë të dallojnë mes tyre është vendi i formimit
dhe rrjedhimisht sipas normave drejtshqiptimore të gjuhës shqipe, ato edhe duhet të shqiptohen në
atë mënyrë që të mund të bëhet diferencimi i tyre edhe me anën e të dëgjuarit dhe jo vetëm në të
shkruar siç praktikohet. Drejt i përdorin këta tinguj përdoruesit e dialektit të Jugut, por ata që nuk
arrijnë të bëjnë diferencimin janë kryesisht pjesa dërrmuese e përdoruesve te dialektit verior, më
saktësisht ata që i përkasin të folmes verilindore, të cilët i shqiptojnë njëjtë si afrikatet ashtu edhe
qiellëzoret. Do të thotë ata i shqiptojnë drejt afrikatet, por gabojnë në shqiptimin e qiellëzoreve.
Formojnë kundërvënie në rastet:
Qafë – çafë, qepë-çepë, gjak-xhak, zogj-zoxh, gjysh-xhysh, Gjakovë – Xhakovë.
21
3.2. Përafrimet morfologjike
3.2.1. Shquarsia e emrave të lakimit të dytë
Kategoria e shquarsisë me kundërvënien e trajtave të së shquares dhe të së pashquares në
sistemin emëror përbën një diferencë mes të folmeve, përgjithësisht dialekteve, por nuk janë
dallime që e prekin tërë strukturen e formës gramatikore. Këto dallime prekin vetëm njërën
morfemë, të shumtën e rasteve mbaresën e prapashtesën49.
p. sh. kreshnik-i (u), zog-i, (u)
Gjatë përditshmërisë sime pothuajse në të gjitha rastet kur kam rastisur të dëgjojë të
përdoren këta dy emra, dominuese ka qenë trajta që shquarsinë e bënë me mbaresën - i . Të rralla
kanë qenë rastet kur emri Kreshnik dhe zog apo edhe emra të tjerë të po këtij rangu janë përdorur
në trajtën e duhur, pra duke marrë mbaresën u.
Shënim: emri vëlla-i, i cili në shqipen standarde renditet si emër i lakimit të parë, në të
shumtën e rasteve, sidomos, te brezi i ri, i cili është i ndikuar nga faktorët sociolinguistikë (librat,
mediet etj.), por edhe nga librat e gramatikës të cilat sqarojnë përdorimin e drejtë të emrave të
lakimit të dytë si p.sh: dhe dhe-u, krah krah-u, etj., dhe nuk sqarojnë përjashtimet që bëjnë emrat
të cilët mbarojnë me zanoren e ngritjes së ultë a, kanë prirje që edhe këtë emër ta lakojnë sipas
paradigmës së lakimit të dytë.
Kjo mund të shpjegohet me anë të trekëndëshit akustik të zanoreve
y i u (vëlla- vëllau)
(dhe-dheu) e ë o
a
Do të thotë që emrat e lakimit të dytë, në trajtën e shquar, të rasës emërore, në numrin
njëjës janë të prirur për të përfunduar me mbaresën u, ngase gjuha është e ngritur mesatarisht drejt
qiellëzes. Ndërsa, te emrat e lakimit të parë që në trajtën e pashquar mbarojnë me zanoren a gjuha
49 Gjinari, J., Shkurtaj, Gj., Dialektologjia, SHLBU, Tiranë 2000, f. 208.
22
është në nivelin më të ulët dhe në këtë rast nëse ky emër lakohet sipas paradigmës së lakimit të
dytë, gjuha duhet të bëjë dy lëvizje: a) një në drejtim të ngritjes dhe b) një në drejtim të radhës.
p. sh. krah-krahu-krahi, Besnik-Besniku-Besniki, etj.
3.2.2. Format e pashtjelluara të foljes
Këto forma paraqesin një diferencë mes dialekteve të shqipes dhe në të njëjtën kohë
paraqesin edhe vështirësi kur folësit e dialektit gegë janë në situata gjuhësore ku duhet t’i përdorin
ato.
Pjesorja
Sot në të folmen e shqipes ekzistojnë variante strukturash për formën e pjesores. Mund të
themi se në përgjithësi në të folmet e dialektit jugor pjesoren e gjejmë të pareduktuar, kurse në të
folmet e dialektit verior, në pjesën më të madhe e gjejmë të thjeshtuar, pa mbaresë50.
Foljet në pjesore nuk kanë të njëjtën formë, sepse kategori të ndryshme foljesh kanë mbaresa të
ndryshme51.
Tema foljore nga e cila formohet pjesorja, mund të përkojë me atë të së kryerës së thjeshtë
ose të kohës së tashme, ose mund të jetë e ndryshme nga këto të dyja52.
Trajta e zgjatur e pjesores me –ur ose –uar, që është karakteristike për toskërishten,
shkakton problem serioze me rastin e përdorimit të saj nga folësit e natyrshëm të gegërishtes kur
ata duan të flasin në standard.
p.sh. Gegërisht Toskërisht Standard
vjel vjelur vjelë
mjell mbjellur mbjellë
Foljet të cilat e formojnë pjesoren me temën foljore që përkon me atë të kohës së tashme
siç janë: heq - hoqa - hequr
pjek- poqa- pjekur
vjel - vola-vjelur
zë- zura - zënë
lë- lashë - lënë53, qojnë në përafrimin e dialekteve të shqipes.
50 Gjinari, J., Shkurtaj, SH., Dialektologjia, SHLBU, Tiranë 2000, f. 172. 51 Po aty, fq. 172. 52 Grup autorësh, Gramatika e gjuhës shqipe I, Botimi i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 2002, fq. 299. 53 Po aty, fq. 300.
23
Paskajorja-është një formë tjetër e pashtjelluar e foljes e cila parë në të dy dialektet e
shqipes paraqet një diferencë për nga ndërtimi i saj dhe masat e ndryshme të përdorimit të këtyre
varianteve nëpër dialekte.
Tipi i paskajores së gjuhës shqipe letrare i përbërë nga pjesëza parafjalore për dhe emri
foljor asnjanës i pashquar (për të punuar) ekziston si tip i vetëm në tërë toskërishten. Ndërsa, për
të folmet e gegërishtes është tipike paskajorja e formuar nga pjesëza përemërore me dhe nga
pjesorja e foljes (me punue)54.
Gjuhëtarë të ndryshëm të cilët janë marrë me studimin e dialekteve siç janë: M.La Piana,
M.Domi, G.Rohlfs etj. kanë mbrojtur pikëpamjen që këtë formë foljore e ka pasur edhe
toskërishtja, por e ka humbur prej kohësh55. Disa prej tyre, shohin gjurmë të kësaj forme foljore
në ndonjë shprehje të ngurosur si do-me-thënë56.
Shënim: Studiuesit që janë marrë me problemet e Ballkanit, zhdukjen e paskajores dhe
zëvendësimin e saj me lidhoren në dialektin toskë, e kanë cilësuar si një nga tiparet themelore të
bashkësisë gjuhësore ballkanike57.
Paskajorja mund të formohet për secilën folje.
p.sh. Gegërisht Toskërisht Standard
me punu për të punuar
me lexu për të lexuar
me shku për të shkuar
Por, në gegërishte, e sidomos në atë jugoren, ekziston edhe një tjetër tip i paskajores, forma
për me punue, që ka ardhur nga kontaminimi i paskajores për të punue me paskajoren me punue58,
formë kjo që gradualisht ka pasur dhe do të ketë në vazhdimësi rol në përafrimin e dialekteve tona.
Përcjellorja-edhe kjo formë e pashtjelluar e foljes, marrë në të dy dialektet, ndërtohet
ndryshe tek njëri e ndryshe tek tjetri.
54Gjinari, J., Shkurtaj, SH., Dialektologjia, SHLBU, Tiranë 2000, f. 171-172. 55 Beci, B., Dialektet e shqipes dhe historia e formimit të tyre, Dituria, Tiranë, 2002, fq. 54. 56 Po aty, fq. 54. 57 Po aty, fq. 54. 58Gjinari, J., Shkurtaj, SH., Dialektologjia, SHLBU, Tiranë 2000, f. 172.
24
Në dialektin e Jugut ndërtohet duke i paravendosur pjesores së foljes pjesëzën duke59.
Ndërsa, në dialektin e Veriut pjesores së foljes i paravendoset pjesëza tu tuj.
p.sh. Gegërisht Toskërisht Standard
tu tuj punu duke punuar
tu tuj lexu duke lexuar
tu tuj shkru duke shkruar
Mohorja -kjo formë në standard ndërtohet duke i paravendosur pjesores së foljes pjesëzën
pa dhe me të njëjtën formë e gjejmë edhe në dialektin e toskërishtes, ndërsa në gegërishte kjo
ndërtohet me po të njëjtën pjesëz pa, por ajo çka e veçon është folja në pjesore.
p.sh. Gegërisht Toskërisht Standard
pa punu pa punuar
pa lexu pa lexuar
pa shkru pa shkruar
Përdorimi i këtyre formave të pashtjelluara që formohen në dialektin e gegërishtes nga
folësit e këtij dialekti do të ishte mirë që të zëvendësohen gradualisht me format që dalin në
dialektin e toskërishtes dhe që rrjedhimisht do të rezultonte me përafrimin e këtyre dy dialekteve
drejt gjuhës standarde shqipe.
3.2.3. Përemrat
Edhe format përemërore na dalin me disa ndryshime gjatë përdorimit të tyre nga folësit e
dy dialekteve të shqipes.
p.sh. përemri vetor i vetës së parë
Gegërisht Toskërisht Standard Shembuj
u, un, une unë
Un iksha ata vishin mas meje.
Une jom kon me to.
Una po thom qishtu.(Zaçisht)60
59 Grup autorësh, Gramatika e gjuhës shqipe I, Botimi i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 2002, fq. 301. 60 Dulaj, F., E folmja e Rahovecit me rrethinë, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2016, fq. 202.
25
Studiues të gramatikës historike dëshmojnë se në të folme të ndryshme të shqipes dëgjohet
forma përemërore e vetës së parë njëjës una, duke cekur fshatrat Reti, Zaçisht dhe Opterushë.61
Por, kjo formë padyshim se dëgjohet tepër rrallë, dhe atë në rastet kur përdoret nga folësit
që i përkasin brezit të vjetër. Përndryshe, brezi i ri është në progres drejt zhvillimit të mëtejshëm
për të përafruar të folurit krahinorë me gjuhën standarde.
Përemrat dëftor
Sa i përket përemrave dëftorë mund të themi se të folmet verilindore e sidomos të folmet e
Kosovës qendrojnë largë mundësisë së përafrimit me shqipen standarde sidomos sa i përket
trajtave përemrore të ndërtuara me anë të shtimit të tingujve. Më poshtë po rendisim disa trajta
përemrore:
Gegërishte verilindore Toksërisht Standard
çaj, çajo ai, ajo
çeky, çekjo ky, kjo
çeta, çeto këta, këto
çata, çato ata, ato
Përemrat pronor
Kur jemi te pronorët, dialektet e shqipes megjithëse paraqiten me disa dallime të vogla
fonetike, ato në të ardhmen mund të përafrohen. Dallimi kryesor vërehet kryesisht te përemri i
vetës së parë shumës ynë, që në shumicën e të folmeve verilindore në vend të përemrit të gjinisë
mashkullore (ynë) përdoret përemri i gjinisë femërore (jonë).
P. sh. Nga një hulumtim i vogël që kam bërë, kur individëve të caktuar (kryesisht mërgimtarëve)
u kam kërkuar që t’më përgjigjeshin në pyetjen: se si e quani Kosovën kur flisni me dikë të
kombësisë tjetër?, gjitha përgjigjjet kanë qenë me fjalën atdhe të shoqëruar nga përemri i gjinisë
femërore, pra atdheu jonë. Nga kjo vijmë në përfundim se ky lloj i përemrave ka ngecje në
përafrimin e dialekteve drejt shqipes letrare.
Këtu po rendisim disa përemra pronorë që dallojnë nga dialekti në dialekt :
Gegërisht Toskërisht
61Po aty, fq. 203.
26
i jemi, e jemja (t’mijat) i imi, e imja
i joti, e jotja(tuat) i yti, e ytja
i ktina, iksej (i veti, e vetja) i këtij, i asaj
i joni ( tonat) i yni
i juvi (t’juvet) i juaji
i ktyne, i atyne (t’yve) i atyre
Shënim: Ekziston një dallim strukturor midis dy dialekteve të shqipes: gegërishtja i ka
format e përemrave vetvetorë, si: i vet, e vet, t’vet-. Këta përemra kanë hyrë në sistemin
përemërorë të gjuhës letrare, por mungojnë krejtësisht në dialektin e toskërishtes62.
Përemrat pyetës
Dialektet e shqipes nuk paraqesin ndonjë dallim të madh sa i përketë përemrave pyetës.
Dallimi i vetëm qëndron tek artikulimi i lëngëzoreve. Të folmet verilindore kanë prirje të
përdorimit të lëngëzores së dyfishtë edhe në ato raste kur shqipja standarde ka përdorim të
lëngëzores njëfishore.
Gegërisht Toskërisht
Cilli?, Cilla? Cili? Cila? Cilli ke te dera?, Cilla prej atyne â ma e madhe?
Pastaj përemrat tjerë si: pse?, shka?, çfar?, sa? etj.
p.sh.
Kush foli? Çfar rrushi âsht?
Shka ka çi nuk flet? Sa âsht killa rrushit? 63.
62Gjinari, J., Shkurtaj, SH., Dialektologjia, SHLBU, Tiranë 2000, fq. 151. 63 Po aty, fq. 213.
27
Përemrat lidhor
Siç e tham edhe kur trajtuam përemrin pyetës cili?, cila?, edhe te ky lloj i përemrit dallimi qëndron
vetëm në artikulimin e lëngëzoreve.
Gegërisht Toskërisht
t’cillet, t’cillat të cilët, të cilat Ata t’cillet nuk vijn.. ata të cilët nuk vijnë…
çi që Kush âsht aj çi vjen? Kush është ai që vjen?
Përemrat e pacaktuar
Siç e kanë theksuar studiuesit e gjuhës, gegërishtja ka një numër përemrash të pacaktuar
që i mungojnë toskërishtes. P.sh. do (njerëz) (ca), kush, xhdokush, najkush, kurrkush, kurrnja,
cillido, çfardo, shkado, dishka, dikush, najâ, kurrnjâ, asnjâ, końdush, çita, çito, gjithsecili,
gjithkush etj.
Kurrnja nuk meńon qysh duhet.
Cokati dikush n’der.
Gjithkush me majt shpi etj64.
Duke u ndikuar vazhdimisht nga institucionet arsimore e kulturore, nga marrëdhëniet mes
folësve të të folmeve të ndryshme, dallimet që ekzistojnë mes dialekteve kanë tendencë që të
eliminohen dhe të krijojnë kësisoj një përafrim me gjuhën letrare kombëtare.
64 Po aty, fq. 214.
28
KAPITULLI IV
Përfundimi
Ky punim ngërthen në vete hulumtimin për dy dialektet e gjuhës shqipe. Këtu kam trajtuar
dallimet fonetike dhe morfologjike të dialekteve të gjuhës shqipe dhe paralelisht me këtë kam
nxjerrë edhe faktet që çojnë në përafrimin e këtyre dialekteve mes veti duke shkuar drejt gjuhës
letrare.
Pa dashur që t’u rikthehem argumenteve të sjella në këtë punim, mendoj së në përfundim
të tij mund të ritheksoj: se gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore, dialektin e Veriut (gegërishten)
dhe dialektin e Jugut (toskërishten). Kufiri natyrorë që i ndan në vija të përgjithëshme këto
dialekte, është lumi Shkumbin, që kalon nëpër Elbasan, në Shqipërinë e Mesme.
Dallimet mes dialekteve nuk janë të mëdha, folësit e tyre kuptohen pa vështirësi me njëri-
tjetrin në përjashtim të ndonjë shprehjeje të caktuar. Por, ekzistojnë dallime në sistemin fonetik e
në strukturën gramatikore, dhe më pak dallime ka në leksik. Në sistemin fonetik ato më të
dukshmet janë: dialekti i Veriut ka zanore gojore dhe hundore, kurse dialekti i Jugut ka vetëm
zanoret gojore; togut ua toskërishtja i përgjigjet me togun ue (grua-grue); â-së hundore të
gegërishtes, toskërishtja i përgjigjet me ë të theksuar (nânë-nënë). Dialekti i Jugut karakterizohet
më shumë për praninë e dukurisë së rotacizmit (kthimin e n-së ndërzanore në r (ranë - rërë), që
në dialektin e Veriut mungon; në dialektin e Jugut, grupet e bashkëtingëlloreve mb, nd ruhen të
plota, kurse në dialektin e Veriut janë asimiluar në m, n (mbush–mush, vend – ven); kundërvëniet
që formojnë afrikatet e qiellëzoret (qafë-çafë, gjak-xhak); gjatësinë e zanoreve, element ky që e ka
dialekti verior; shqiptimi i bashkëtingëllores r si rr, që është dukuri në disa të folme të gegërishtes
verilindore (buron-burron).
Ndërsa, në sistemin morfologjik dallimet kryesore dhe mundësitë e përafrimeve të
dialekteve me gjuhën letrare dalin në: shquarsinë e emrave të lakimit të dytë (vëlla-vellau-vëllai);
në format e pashtjelluara të foljeve (pjesoren, paskajoren, përcjelloren dhe mohoren) e në
përdorimin e përemrave. Ajo çka tërheqë më shumë vëmendjen e atyre që merren me studime të
tilla dialektologjike është ndryshimi që ekziston në përdorimin e formave të pashtjelluara të foljes,
psh. paskajorja të cilën folësit e dialektit të Veriut e bëjnë: me punue, kurse ata të dialektit të Jugut
29
përdorin lidhoren -për të punuar, pastaj pjesorja që në gegërisht del punu, ndërsa në toskërisht
punuar etj.
Marrë parasyshë faktin se shqiptarët e ditëve të sotme janë në kontakte mjaft të shpeshta,
qoftë në ato të drejtëpërdrejta (flukset e dukshme) ashtu edhe në kontakte indirekte (flukset e
padukshme), të folmet e tyre dita e ditës janë duke u njëjtësuar mes tyre.
Megjithë diskutimet e shumta që bëhen për dallimet dialektologjike, në përfundim të këtij
punimi mund të konkludojmë se dialektet e grupet e të folmeve të shqipes po përafrohen mes tyre
duke shkuar njëkohësisht drejt gjuhës letrare shqipe.
30
Literatura
I. Gjinari, Jorgji, Shkurtaj, Gjovalin, Dialektologjia, Tiranë, 2000.
II. Beci, Bahri, Dialektet e shqipes dhe historia e formimit të tyre, Tiranë, 2002.
III. Grup autorësh, Gramatika e gjuhës shqipe I, ASHSH, Tiranë, 2002.
IV. Nushi, Musa, Gjuha e sotme shqipe I, Prishtinë, 2003.
V. Grup autorësh, Studime gjuhësore I, Prishtinë, 1978.
VI. Grup autorësh, Kultura e gjuhës 2, SHGJSHK, Prishtinë, 2013.
VII. Bajçinca, Isa, Shqipja standarde dhe problemet rreth saj, Prishtinë, 2016.
VIII. Shkurtaj, Gjovalin, Sociolinguistikë e shqipes, Tiranë, 2009.
IX. Dulaj, Fridrik, E folmja e Rahovecit me rrethinë, Prishtinë, 2016.